Kurti bën homazhe te varri i heroit Bahri Fazliu
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të martën ka bërë homazhe pranë varrit të heroit Bahri Fazliu, në 26-vjetorin e rënies së tij.
Me këtë rast, Kurti ka thënë se Bahri Fazliu kishte rënë në një ballafaqim të rreptë me forcat serbe.
“Sot më 7 maj janë mbushur 26 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit, Bahri Fazliut – Gëzimit. Ai u vra në betejë, ballafaqim me forcat armike serbe në vendin i cili ndodhet në kufi të Kosovës edhe me Shqipërinë edhe me Malin e Zi. Pra një vend domethënës i cili është në përputhje edhe me idealet e Bahri Fazliut, për çlirim e bashkim kombëtar. Bahri Fazliu është jo vetëm dëshmor i kombit, por edhe veprimtar, artist këngëtar poet i cili ka lënë shumë shkrime, poezi të cilave nuk ju mbaron aktualiteti sepse ato tregojnë qysh liria është më e vlefshme më e shtrenjtë se jeta kundër padrejtësive dhe robërisë së okupatorëve”, ka thënë kryeministri Kurti.
Më tutje, Kurti se nuk do ta harrojnë asnjëherë kontributin e dëshmorëve të kombit për lirinë e Kosovës.
“Andaj edhe sot me bashkëpunëtorët e Bahri Fazliut, me familjarët e tij me ministra, qytetarë e aktivistë vijmë dhe bëjmë nderime këtu duke mos harruar asnjëherë se punën më të madhe më të rëndë më të vështirë e kanë kryer dëshmorët e kombit. Edhe ne e kemi shumë të rëndësishme, por këto janë gjë e vogël, gjithsesi në rrugën të cilën e kanë shtruar me gjakun e tyre dhe prej nga ne sot e kemi lirinë”, ka thënë Kurti.“Lavdi Bahriut e të gjithë dëshmorëve”, ka thënë Kurti.