Kurti: Beogradi e lyp asociacionin si kompensim për humbjen e luftës, serbët lokalë s’e kërkojnë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve ka folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti ka thënë për “APA”-n se s’do të krijohet një organizim i tillë komunash.
“Unë kam ardhur në pushtet vitin e fundit, kanë qenë paraardhësit e mi që e kanë nënshkruar atë marrëveshje me njerëzit e njëjtë që janë sot në pushtet në Serbi, pse nuk e kanë implementuar atëherë?”, ka thënë Kurti.
Më tutje, ai ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të cilin ka thënë se e ka konstatuar si kundërkushtetuese marrëveshjen e arritur nën ndërmjetësimin e BE-së.
“Kushtetuta jonë nuk është në pajtim me asociacion etnik”, ka thënë Kurti, duke shtuar se fryma e Kushtetutës së Kosovës është multietniciteti i shtetit.
Madje, Kurti ka thënë se asociacioni nuk është kërkesë e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, por atë është duke e kërkuar vetëm Beogradi si përpjekje për të kompensuar humbjen e luftës nën drejtimin e Sllobodan Millosheviqit.
“Kërkesa për një autonomit të hapësirave më shumicë serbe në veri të Kosovës s’vjen madje as nga popullata lokale. Vetëm Beogradi dëshiron formimin që të kompensojë humbjen e luftës nën Millosheviqin, por nuk realizohet”, ka deklaruar Kurti.