Kurti bëri “mashtrim klasik”

15 shtator 2023 | 08:22

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka quajtur “mashtrim klasik” paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti në dialog, ndërsa propozimin e tij për normalizim raportesh me Serbinë e ka cilësuar si “të pavlerë”.

Kryeministri Kurti u shpreh se në takimin e së enjtes me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e lehtësuesve të Bashkimit Evropian, ka prezantuar një plan për zbatimin e marrëveshjeve bazë dhe aneksin e zbatimit për rrugën drejt normalizim të raporteve. Megjithatë, Kurti tha se ky propozim nuk u përkrah, ndërsa akuzoi se nuk pati propozime të tjera e se BE-ja ka nxjerrë një dokument të mëhershëm me kërkesë të Serbisë për formimin e Asociacionit. Takimi përfundoi pa asnjë rezultat.

“Ai dokument i cili s’është marrë në konsideratë nga Brukseli, nga ndërmjetësit Borrell e Lajçak, që s’ka mundur të jetë pjesë e agjendës… Varet shumë a mbërrin ta vësh në agjendë dhe del në Twitter nga Kurti është i barabartë me një dokument që harton një think-tank në Kosovë apo seminar në lëndën time Diplomacia në master. Kurrfarë vlere, vetëm përpjekje për ta bindur opinionin publik që Albin Kurti po punon dhe ishte më shumë një lloj liste e dëshirave. Dialogu është i ndërtuar në atë formë që Kosova dhe Seria të japin propozime e ndërmjetësi e ka për detyrë që propozimet t’i integrojë në një tekst. Nëse Kurti s’ka mbërritur prej pikës së parë deri në të fundit që ta zbërthejë atë dokument në mënyrën se si është në përputhje me interesin e Kosovës, mendoj se ka bërë gabim të madh”, ka thënë Hoxhaj në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai ka thënë se shqetësimi kryesor për të “ishte prej preambulës që Kurti e pati pranuar te plani franko-gjerman ku thuhej se duke u pajtuar në pikëpamjen e ndryshme që kanë palët për statusin…”

“Sot që askush s’e ka thënë në 30 vjetët e fundit… s’ka pas delegacion të Kosovës që s’është takuar me Serbinë… dhe Albin Kurti është i pari që e ka pranuar dhe sot del dhe thotë ‘unë kërkova njohje de facto e thotë se s’ma dhanë këtë njohje’. Është një prej mashtrimeve klasike që Kurti po i bën në vazhdimësi dhe e ftoj që në këtë temë është më mirë të heqë dorë sepse s’po ka ide si ta shtyjë përpara”, ka shtuar deputeti i PDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i çështjeve politike, Visar Ymeri, thënë se kryeministri i…