Kurti: Bërnabiqit i kërkova ta nënshkruajë aneksin e zbatimit, por s’ishte e interesuar
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë e ka përdorur edhe për të çuar para zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë.
Siç deklaroi Kurti, ai i ka kërkuar kryeministres serbe, Ana Bernabiq, e cila ishte prezente në samit, që ta nënshkruajë aneksin e marrëveshjes por që ajo s’ka qenë e interesuar, shkruan Reporteri.net.
Vuçiqi, tha Kurti, s’ka qenë edhe më hiç i interesuar, pasi “ishte i zënë sot në Kinë”.
Ai ka përsëritur që Serbia duhet sanksionuar për sulmin terrorist.
“Duhet të ketë sanksione për Serbinë dhe siguri për Kosovën. Ne kemi marrëveshje me Serbinë që ka në qendër njohjen reciproke, ajo duhet të zbatohet. Ne kemi edhe aneksin e zbatimit, ne kemi kërkuar që të nënshkruhet por Serbia ka refuzuar. Unë sot kam kërkuar nga kryeministrja serbe, Ana Bernabiq që ta nënshkruajnë këtë aneks. Unë kam thënë ta nënshkruajnë marrëveshjen bazike dhe aneksin e zbatimit, por nuk ishin të interesuar. Vuçiq ishte i zënë sot në Kinë. Nëse është aq i interesuar për stabilizim le ta nënshkruaj marrëveshjen”, ka thënë kryeministri Kurti.
Në kundërpërgjigje të deklaratave të kryeministrit Edi Rama, se “veriu është tokë e askujt”, Kurti ka thënë se “është tokë e Kosovës”.
“Ne kemi nevojë për më shumë siguri për Kosovën. Policia e Kosovës është edhe në jug edhe në veri. Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës, integriteti territorial është i pacenueshëm, sovraniteti shtetëror mbrohet me qeverisje demokratike. Kemi biseduar hapur me të gjithë dhe unë i falënderoj të gjithë që ishin konstruktiv”, ka thënë ai në deklarim për media.