Kurti beson se LV-ja do të fitojë në Prizren
Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij do ta kthejë qeverisjen në Prizren.
Kurti në një takim të mbajtur të shtunën në Prizren, ka thënë se “kryeqyteti i kulturës e i historisë shumë shpejt do i kthehet punës së mbarë progresiste dhe lidhjes me mirëqeverisjen demokratike”.
“Në Prizren kishim një shkëputje të shkurtër por po kthehemi dhe këtë e dëshmon anëtarësimi i lartë dhe i vazhdueshëm i qytetarëve në subjektin tonë. Prizreni frymon me Lëvizjen për këtë jemi garantues secili prej nesh dhe të gjithë ne së bashku”, citohet të këtë thënë Kurti, njofton LV-ja.
Ai ka përmendur edhe dy projekte infrastrukturore që kanë filluar në këtë qytet e që sipas tij, do të ndikojnë në zhvillimin Prizrenit.
“Rruga Prizren-Tetovë, hekurudha që do e lidhë Prizrenin me Gjakovën dhe Shkodrën janë dy prej projekteve në infrastrukturë që kemi filluar e që do të kontribuojnë si në lidhjen e shqiptarëve ashtu edhe në zhvillimin ekonomik të Prizrenit”, ka thënë Kurti.
Në zgjedhjet e fundit lokale Mytaher Haskuka kishte humbur ndaj kandidatit të PDK-së, Shaqir Totaj, në garë për kryetarin e Prizrenit.