Kurti beson se marrëveshja me LDK-në do të arrihet para 24 dhjetorit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, beson se marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në do të arrihet para 24 dhjetorit.
Pas regjistrimit si deputet në Kuvend të Kosovës, ai ka treguar se përpjekjet për arritjen e kësaj marrëveshje po vazhdojnë.
“Po përpiqemi ditë e natë që të arrijmë marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës. Këto kontakte dhe takime po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Takimi nuk është lajm. Lajm është arritja e marrëveshjes. Jemi dakorduar që komunikimin ta kemi shumë herë gjatë ditës në mënyrë që sa më parë ta realizojmë koalicionin për bashkëqeverisje. Gjithnjë më afër jemi, por kur ti kemi rezultatet konkrete do të ju informojmë”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe për vendimin për Ligjin për Paga nga Gjykata Kushtetuese.
“Jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me që rast të gjitha ato që thuhen aty do t’i adresojmë, përndryshe unë besoj që kemi nevojë për një ligj të ri, në mënyrë që pabarazitë e ngelura të eliminohen, edhe me ligjin e ri, shoferi dhe vozitësi i kryeparlamentarit e kanë rrogën më të madhe se drejtori i shkollës”, është shprehur Kurti.