Kurti bisedon me Chollet për dialogun me Serbinë

25 shkurt 2023 | 00:22

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, për dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kjo bisedë telefonike mes Kurtit dhe Chollet zhvillohet tre ditë para se kryeministri kosovar dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të zhvillojnë rundin e ri të bisedimeve në Bruksel.

“Gjatë kësaj bisede, kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kurtit.

Sipas njoftimit, Kurti i ka thënë Cholletit se për raporte normale me Serbinë, përveç njohjes reciproke, që sipas tij duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje finale, “duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare”.

I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, pret që palët të pajtohen për afatet e zbatimit të propozimit evropian.

Ky propozim, që fillimisht ishte quajtur propozimi franko-gjerman, u është dorëzuar palëve vitin e kaluar. Kurti dhe Vuçiq kanë thënë se e pranojnë të njëjtin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë…