Kurti: Çdo ligj, rregullore dhe vendim do të udhëhiqet nga parimi i barazisë gjinore

10 mars 2020 | 16:33

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në aktivitetin e prezantimit të lëndës së re “Gjinia dhe Ekonomia” si pjesë e kurrikulës së Fakultetit Ekonomik, pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit të Agjencisë për Barazi Gjinore me Universitetin e Prishtinës, e cila është mbajtur për nder të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, me ç’rast janë dhuruar edhe një fond librash për studentët e këtij fakulteti.

Me këtë rast, Kurti ka thënë se është tejet e rëndësishme që Fakulteti Ekonomik ka një katedër të veçantë që quhet “Ekonomiksi” dhe përmes SIDA-s është përgatite kurrikula dhe është akredituar lënda që nga viti tjetër tashmë do të fillohet me programin master me lëndën “Gjinia dhe Ekonomia”.

Duke folur për rolin e gruas, Kurti ka thënë se gratë tek ne e kanë shkallën më të lartë të diplomimit në Kosovë, por kanë shkallën më të ulët të pjesëmarrjes në tregun e punës, prandaj, padrejtësinë e kanë më të pranishme dhe sigurisht se e ndjejnë më shumë.

“Askush nuk mund të pretendojë se gratë janë jashtë ekonomisë. Madje as jashtë ndonjë fushe tjetër të rëndësishme jetësore. Ato janë jashtë punësimit, por nuk janë duke pushuar. Janë duke punuar brenda dhe jashtë shtëpisë, janë duke e menaxhuar e drejtuar të gjithë shpenzimet e familjes dhe kjo nuk është një punë e lehtë me kushtet tona”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh…