Kurti: Çmimi nuk është rritur për rrymën e prodhuar në KEK, por për atë që importohet
Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se janë duke u munduar që të arrijnë edhe një zgjidhje afatgjate lidhur me krizën energjetike në Kosovë, shkruan Gazeta Express.
Ai ka thënë se nëse çmimi i energjisë do të ishte rritur në mënyrë lineare, gjendja nuk do të ishte kështu.
“Qeveria të cilën e përfaqësoj dhe e udhëheq ka për qëllim që të ndërmarrë veprime që do të adresojnë edhe efektin e menjëhershëm të kësaj krize por edhe të asaj afatgjate. Nëse çmimi i energjisë do të ishte rritur në mënyrë lineare për të reflektuar kërkesat e sektorit, ne nuk do të ishim në këtë situatë sikurse jemi tani”, tha Kurti.
Kurti është pajtuar se rekomandimi i ZRrE-s për çmimet e energjisë elektrike është një barrë e rëndë për qytetarët.
“Megjithatë pasi kjo nuk ka ndodhur ZRrE-ja si autoritet i pavarur ka vënë para nesh zgjidhjen financiare të krizës. Zgjidhja financiare që përfaqëson borxhin e akumuluar nga pjesëmarrësit e sektorit për t’i mbajtur dritat ndezur vjen me një çmim shumë të lartë. Çmimi i prezantuar nga ZRrE-ja është barrë shumë e rëndë për t’u përballur nga qytetarët në Kosovë”, ka thënë ai.
Lidhur me ndarjen e subvencionit prej 75 milionë eurove, Kurti ka thënë se i përfshinë si bizneset ashtu edhe konsumatorët shtëpiak.
“Ne do të japim në dispozicion 75 milionë euro subvencion për të mos i prekur fare rritja e çmimit të energjisë konsumatorët e amvisërisë që konsumojnë deri në 600 kWh në muaj si dhe bizneset e Kosovës. Kemi zvogëluar ndikimin nga rritja e çmimit të konsumatorëve shtëpiak që konsumojnë mbi 600 kWh”, ka thënë ai.
Më tutje, kryeministri ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk ka ndodhur tek pjesa e energjisë së prodhuar në Kosovë, por tek ajo e importuar.
“Ngritja e tarifave nuk i ka prekur bizneset. Në këtë mënyrë do të kufizohet ndikimi në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen në ekonominë tonë. Qeveria e Kosovës do ta rrisë mbështetjen për konsumatorët në nevojë që nuk kanë mundësi që të paguajnë. Rritja e çmimit të energjisë nuk ka ndodhur tek pjesa e energjisë së prodhuar në Kosovë. Energjia që konsumatorëve u ofrohet nga prodhimi i KEK-ut ende e ka të njëjtin çmim. Ngritja ka ndodhur në pjesën e importuar. Importi është i lartë dhe kjo e ka rritur koston për gjithë ne”,ka thënë ai.