Kurti darkon me Orhan Pamuk: Ishte aq shumë i interesuar për Kosovën
Kryeministri Albin Kurti është takuar me shkrimtarin e njohur turk, Orhan Pamuk në Stamboll.
Kurti tha se njëherë nuk kishte besuar për ftesën që ka marrë për darkë me Pamuk.
Tutje, kryeministri ka thënë se Pamuk ishte aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët e Ballkanin.
“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, ka shkruar Kurti.