Kurti: Demonstratat e vitit 1981 shënuan fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përkujtuar 38-vjetori e demonstratave të studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se demonstratat e vitit 1981 shënojnë fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë.
Postimi i plotë i Kurtit:
Sot bëhen 38 vjet që prej organizimit të demonstratës së studentëve të Universitetit të Prishtinës më 11 mars 1981. Historianët bien dakord se ajo demonstratë shënon fillimin e një procesi të pandërprerë që çoi deri në zhbërjen e Jugosllavisë, e deri në çlirimin e Kosovës.
Fillimisht ishte një protestë spontane, tek mensa e studentëve. Aty të rinjtë u revoltuan ndaj shërbimit e kushteve të këqija. Por kjo protestë spontane e studentëve u shtyp brutalisht, dhe prandaj shumë të tjerë u solidarizuan dhe vendosën të organizojnë demonstratën e 11 marsit.
Ndryshimi mes protestës e demonstratës nuk është vetëm te numri i pjesëmarrësve. Protesta mund të jetë spontane, rrjedh prej revoltimit aty për aty kundër diçkaje të papranueshme. Ndërsa demonstrata është e organizuar, masive, është populli që demonstron se është i gatshëm të vetëvendos e të vetëqeveriset, ta marrë vetë në dorë fatin e vet.
Populli si koncept politik dallon nga popullata si koncept statistikë, pikërisht sepse i pari organizon vetveten në disiplinë të tillë. Demonstratat e vitit 1981, të organizuara nga studentët e nxënësit e shkollave të mesme, shpejt u mbështetën edhe nga punëtorët, duke i dhënë fillim një pranvere shqiptare.
Ato u shtypën dhunshëm, por çdo pushtet që përballet me demonstrata e vendosmëri të tillë, fundin e ka afër, sado i fuqishëm e i dhunshëm të jetë.
Pas demonstratave të 11 marsit, u organizuan të tjerat më 26 mars, e pastaj edhe më 1 e 2 prill 1981. Regjimi jugosllav u detyrua të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Prishtinë e Mitrovicë.
Por tashmë kërkesat e demonstruesve për Republikë e për Vetëvendosje ishin gdhendur në vetëdijen e popullit, dhe nuk mund të harroheshin më.
Regjimit iu dridhen këmbët, ndërkaq studentëve as qerpiku. Qindra studentët e arrestuar u çuan në dhoma torturash, ku kanë përjetuar vuajtje të papërshkrueshme, megjithatë nuk u thyen.
Forca e studentëve të 1981 ende sot rrezaton tek ne, si shembull për rininë e për popullin, që nuk duhet t’i lejojë kurrë kompromiset e pushtetit me lirinë, me mirëqenien e me drejtësinë, të cilat ishin e janë kërkesat tona.
/Epoka e re/