Kurti dërgoi në prokurori zotimin e Thaçit, vjen reagimi i Vlora Çitakut
Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, se e ka dërguar në prokurori zotimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi se nuk do të zbarkojë FSK-në në veri pa koordinim me KFOR-in.
Çitaku përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se nëse një zotim i tillë për Kurtin është tradhti kombëtare, ai duhet ta dërgojë letrën tek sekretari i përgjithshëm i NATO-s duke u tërhequr nga ky zotim të cilin e kanë dhënë të gjithë kryeministrat e Kosovës pas Thaçit.
“Kryeministri Kurti e paska dërguar në Prokurori zotimin e ish kryeministrit të Kosovës se nuk do të zbarkojë FSK-në në veri pa koordinim me KFOR-in. Nëse vërtetë z. Kurti mendon se një zotim i tillë është tradhti kombëtare, ai menjëherë duhet të dërgojë letrën tek Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s duke u tërhequr nga ky zotim të cilin e kanë dhënë të gjithë kryeministrat e Kosovës pas Thaçit. Në të kundërtën, kjo është vetëm një lojë pa shije për konsum të brendshëm, por me pasoja për relacionet tona me aleatët”, ka shkruar Çitaku.