Kurti dhe Abdullah Sidran, bisedë për librin dhe Sarajevën

25 qershor 2021 | 17:36

Një bisedë të përzemërt për politikën, Sarajevën dhe rëndësinë e librit e të lexuarit, e ka pasur kryeministri Albin Kurti në takimin me poetin, shkrimtarin, skenaristin e gazetarin e njohur boshnjak, Abdullah Sidran.

Sidran e uroi Kurtin për zgjedhjen kryeministër i Kosovës dhe tha se fitores së tij në zgjedhje i është gëzuar ai dhe i gjithë populli boshnjak.

“Në ditët e sotme është bërë e vështirë të arrihet drejtësia. Fitorja jote është vendosje në vend e drejtësisë”, ka deklaruar Sidran.

Kryeministri Kurti ka shprehur admirimin për poezitë e poetit, i cili ndryshe quhet edhe “shpirti i Sarajevës”.

Ata diskutuan për rëndësinë e librit të mirë dhe të lexuarit, si proces që pasuron botën e brendshme të njeriut dhe zhvillon mendjen.

Në takim ishin të pranishëm edhe Lulzim Tafa, kryetar i Këshillit të Kolegjit AAB, Nexhat Korajliq, profesor në Universitetin e Sarajevës dhe në Kolegjin AAB, si edhe Venera Llunji, prorektore për bashkëpunim dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Kolegjin AAB.

Shkrimtari Abdullah Sidran po qëndron në Kosovë me ftesë të Kolegjit AAB, që i ka ndarë atij çmimin ndërkombëtar për letërsi “Ali Podrimja”.

Titujt më të rëndësishëm poetikë të Sidranit janë: “Sahbaza” botuar në Sarajevë, në vitin 1970, “Kocka dhe mishi” (1976), “Koleksioni i Sarajevës”, (Sarajevë, 1979) “Tabuti sarajevas” (Sarajevë, 1993), “Lotët e nënave të Srebrenicës” botuar në Sarajevë më 11 korrik 2007.

Libri i tij i botuar gjatë luftës “Tabuti sarajevas”, fitoi “Çmimin e Lirisë” nga Qendra PEN e Francës. Laureatë të mëparshëm të këtij çmimi ishin: Solzenjicin, Sakharov, Havel. Përzgjedhjet nga poezitë e tij u përkthyen në gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe u botuan në Austri, Francë, Itali.

Ai është një nga skenaristët më të rëndësishëm të filmit në kinematografinë ish-jugosllave me filmat: “A të kujtohet Dolly Bell”, “Babai në udhëtim zyrtar”, dhe “Kuduz”.

Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjës e Hercegovinës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është mbajtur mbledhja e 17-të e Qeverisë së Republikës së…