Kurti dhe Dibrani diskutojnë për programet rehabilituese në burgjet e Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar të premten objektin qendror të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) në Prishtinë, ku është pritur nga drejtori Ismail Dibrani .
Në këtë vizitë ai shoqërohej nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në qëndrimin atje është biseduar mbi punën dhe sfidat e shërbimit korrektues, teksa në 11 burgjet e Kosovës ndodhen gjithsej 1 734 të burgosur, prej tyre 1 120 të dënuar. Është theksuar se me miratimin e Ligjit për ShKK-në me të cilin janë themeluar njësi të reja, si ato për vlerësimin dhe klasifikimin e të burgosurve, për inteligjencë, njësia ekonomike dhe themelimi i institucionit për trajtimin e personave me nevoja të veçanta, si dhe miratimi i planit zhvillimor strategjik për ShKK-në 2023-2027, synohet përmbushja e vizionit të agjencisë.
Gjithashtu është biseduar edhe për programet rehabilituese dhe aftësimin profesional për të dënuarit dhe mundësitë e bashkëpunimit me organizata të ndryshme.
Me qëllim përmirësimin e infrastrukturës, me përkrahjen e qeverisë është ndarë buxheti prej 8 milionë euro për ndërtimin e qendrave të reja korrektuese, e ato janë: Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan; Qendra e Paraburgimit në rajonin e Prizrenit me kapacitet prej 300 shtretër dhe zgjerimi i Institutit të Psikiatrisë Forenzike.