Kurti dhe Dugolli bëjnë homazhe në Poklekun e Ri
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Enver Dugolli, kanë bërë homazhe në Poklekun e Ri të Drenasit, në nderim të asaj që ndodhi më 31 maj 1998.
22 vjet më parë në këtë fshat ndodhën krime të tmerrshme. 300 forca të policisë speciale të Serbisë sulmuan Poklekun e Ri, duke vrarë e shkatërruar gati krejt çka kishin para syve.
Dhjetë shqiptarë që ishin banorë të Poklekut të Ri u zunë gjatë sulmit të 31 majit. Njëri prej tyre u gjet më vonë i vdekur, ndërsa nëntë të tjerë mungojnë sot e kësaj dite.
Përveç dëmeve në njerëz, Pokleku i Ri pësoi edhe shumë dëme materiale. Vlerësimi i bërë në vitin 1999 nga Grupi Ndërkombëtar i Menaxhimit nxori evidencën që 40 % e shtëpive të Poklekut të Ri ishin dëmtuar.
Sot Pokleku i Ri duket se e ka rimarrë veten nga dëmet materiale, por dhimbja për nëntë banorë të zhdukur të fshatit mbetet ende e pranishme. Kjo na kujton se duhet të përdorim të gjitha resurset e mekanizmat për të gjetur të dashurit e qytetarët tanë që akoma mungojnë.