Kurti dhe emisari britanik flasin për urgjencën e zbatimit të marrëveshjes Kosovë -Serbi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është duke marrë pjesë në Forumin vjetor ekonomik në Delphi që organizohet nën patronatin e presidentes së Greqisë, Katerina Sakellaropoulou.
Në ditën e parë të pjesëmarrjes së tij në këtë forum, Kurti është takuar me të dërguarin e posaçëm të Britanisë së Madhe, lord Stuart Peach, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy shteteve dhe për zhvillimet e aktuale në Kosovë dhe rajon.
Kryeministri Kurti ka falënderuar lord Peach për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të Britanisë që është konfirmuar edhe në rastin e pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në fillim të kësaj jave.
Ata kanë diskutuar për mbajtjen dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat ishin të qeta, paqësore dhe pa incidente.
Në takim gjithashtu është biseduar edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, rëndësinë dhe urgjencën e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit të dakorduar në Bruksel, respektivisht në Ohër, dhe për pritjet nga takimi i radhës i nivelit të lartë politik që do të mbahet të më 2 maj.
Krahas takimeve, sot në orën 17:30, kryeministri Kurti po ashtu do të jetë panelist në një diskutim në kuadër të forumit me titull “Ballkani Perëndimor në Fushën e re të Shahut të Gjeopolitikës”.