Kurti dhe kongresisti McGovern bisedojnë për rrezikun e lidhjeve Serbi-Rusi për Ballkanin

18 maj 2022 | 13:22

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Uashington, D.C. kongresistin Jim McGovern, njëherësh kryetar i Komisionit për Rregulla të Dhomës së Përfaqësuesve. Kryeministri ia ka shprehur atij mirënjohjen për përkrahjen nga Kongresi dhe për kontributin e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Kurti e ka njoftuar kongresistin McGovern për progresin përgjatë qeverisjes njëvjeçare, synimet, planet dhe prioritet e qeverisë në vijim të mandatit.

Kryeministri Kurti ka thënë se vitin e kaluar kemi arritur rritje ekonomike prej 10.53 për qind, me rritje prej 83,6 për qind të eksporteve, 21 për qind rritje të IHD-ve, 30për qind rritje të të hyrave tatimore dhe 31 për qind rritje të të hyrave doganore

Më tutje, Kurti me kongresistin amerikan ka biseduar edhe për invazionin rus në Ukrainë dhe rrezikun që paraqet lidhja Serbi-Rusi për Ballkanin.

“Duke diskutuar për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë, kryeministri Kurti ka theksuar reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Kosovës duke u rreshtuar përkrah ShBA-së dhe BE-së, me vendosjen e  sanksioneve kundër Federatës Ruse dhe me ofrimin e ndihmës dhe përkrahjes për Ukrainën. Ai e ka vënë theksin te rreziku që mund të paraqitet për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Kjo për shkak të, siç ka thënë ai, lidhjeve të forta të Serbisë me Rusinë, në veçanti asaj ushtarake. Aleanca ushtarake Serbi-Rusi paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka thënë kryeministri. Këtë e ka mbështetur në veprimet që ndërmori Serbia kur Kosova mori masat e reciprocitetit në lidhje me targat e përkohshme”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Kurti ka thënë se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të zvogëlonte kërcënimin e sigurisë për Ballkanin.

“Serbia e përshkallëzoi këtë çështje në një provokim ushtarak, duke fluturuar helikopterë ushtarakë të dhuruar nga Rusia dhe avionë luftarakë ‘Mig-29’ afër pikës kufitare në Jarinje, ka thënë kryeministri Kurti dhe ka shtuar se ambasadori rus në Beograd, Aleksander Botsan Harçenko, e ka vizituar pikën kufitare së bashku me ministrin serb të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, për të inspektuar grumbullimin e trupave ushtarake serbe atje. Kryeministri Kurti ka potencuar që megjithëse NATO është e pranishme në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë një bazë të madhe ushtarake në vendin tonë, gjë që na bën të ndihemi të sigurt, një përshpejtim i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të zvogëlonte shumë kërcënimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe do të forconte paqen dhe sigurinë në Evropë”, ka njoftuar zyra e Kurtit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) në kuadër të sistemit INSUREX…