Kurti dhe opozita replikojnë nga distanca për zgjedhjet e reja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar të hënën kërkesën e opozitës për dorëheqjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Kurti ka lënë të nënkuptohet se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje. Madje ai me shpërfillje ka thënë se nëse shkohet në zgjedhje, sipas tij, do të zhduket opozita. “Kam dëgjuar që opozita herë kërkon dorëheqjen e herë shkarkimin tim e herë zgjedhje të reja. Zgjedhjet nuk i konvenojnë as qeverisë, as opozitës. Qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse zhduket opozita”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie të hënën në të cilën ka folur për takimin e fundit në Bruksel.
Ndaj kësaj deklarate të Kurtit kanë reaguar përfaqësuesit e opozitës. Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se kurdo që të mbahen zgjedhjet, Albin Kurti nuk do të ketë mundësi të krijojë një qeveri të dytë pasi, sipas tij, “nuk do t’i ketë as numrat e as mandatin”. “Mendoj që favori dhe shërbimi më i madh që do t’ua bëjë Kurti qytetarëve është të japë dorëheqje dhe të shkojmë në zgjidhje. Qeveri në mandatin e ardhshëm kur do që të mbahen zgjedhjet, ai (Kurti) nuk do ta mund ta krijojë. Ky është mandati i tij i fundit dhe nuk do të mund të krijojë një mandat të ri. Ju e shihni agjendën parlamentare”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se dorëheqja e Kurtit do t’i ndihmojë Kosovës t’i hiqen sanksionet nga Bashkimi Evropian (BE). “Tash Kurtit kanë filluar që t’i dalin pengesa edhe nga BE-ja. Ai e ka të pamundur të qeverisë dhe ta nxjerrë vendin nga kjo situatë. Dorëheqja e tij do të garantojë që vendit tonë t’i hiqen sanksionet. Një kryeministër që i ka humbur rruga në oborr, mendoj se dorëheqja e tij është shërbimi më i madh që Kurti mund t’i bëjë vendit tonë. Nuk ka nevojë Kurti të brengoset për opozitën. Brengë për të është humbja e pushtetit”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti humorist, duke thënë se ai e ka humbur fuqinë politike. Sipas Tahirit, Kurti nuk ka kujdes as ndaj njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje, “e lërë më për opozitën dhe partitë e tjera”. Më tutje, Tahiri e ka ftuar Kurtin të përballet me zgjedhje. “Kryeministri Kurti ia ka filluar të bëhet humorist. Ky asnjëherë s’ka pasur kujdes për opozitën, lërë për opozitën e partitë e tjera, por as për njerëzit ndryshe në partinë e vet. Nuk kujdeset për njerëzit në parti që kanë mendime të ndryshme e lërë për partitë e tjera. Se kush sa e ka fuqinë politike na e jep populli. Le të dalë nëse ia mban në zgjedhje dhe e sheh çka ndodh me të. Ai e di që e ka humbur fuqinë elektorale politike, prandaj është bërë humorist”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.