Kurti dhe Osmani bëjnë homazhe në Likoshan e Qirez, kërkojnë drejtësi për viktimat
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë bërë homazhe për të rënët në Likoshan e Qirez.
Pas homazheve, ata kanë bërë nga një prononcim të shkurtër para gazetarëve ku kanë kërkuar që të vihet drejtësi për viktimat dhe familjarët e tyre.
Osmani ka thënë kjo kujtesë historike dhe institucionale ndihmon që të kuptohet çmimi i lartë i lirisë që e pagoi populli i Kosovës.
“Jemi këtu së bashku me kryeministrin në ardhje për ta nderuar sakrificën dhe luftën çlirimtare, por edhe të gjithë të rënët dhe martirët. Kjo kujtesë historike dhe institucionale na ndihmon që ta kuptojmë çmimin e lartë të lirisë që populli i Kosovës e pagoi. Po ashtu është moment kur ne duhet ta ngrisim zërin tonë për drejtësi për të gjitha viktimat e shkaktuara nga regjimi serb. Vetëm duke kërkuar drejtësi dhe duke e kujtuar sakrificën ne do të mund ta ndërtojmë shtetin”, ka deklaruar Osmani
Ndërsa Albin Kurti ka thënë se është obligim institucional që për të gjitha viktimat dhe familjarët e tyre të vihet drejtësia duke i gjykuar dhe dënuar kriminelët që kryen gjenocid.
“Ne u kemi borxh sa nuk thuhet të gjithë atyre që dhanë gjithçka që ne të jetojmë të lirë. Por edhe drejtësia është mohuar dhe është obligim i yni që për të gjithë këta familjarë të sjellim drejtësi duke i gjykuar dhe dënuar kriminelët që kryen gjenocid. Emrat e tyre nuk harrohen kurrë, gjaku i tyre nuk humbet kurrë”, ka deklaruar Kurti.