Kurti dhe Osmani diskutojnë për nevojat e sektorit të biznesit
Partneriteti për Zhvillim Ekonomik ka organizuar sot një takim me bartësit e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.
Qëllimi i takimit ishte informimi me Planin Ekonomik që Vetëvendosja ka përgatitur për zgjedhjet e përgjithshme, dhe që parashohin të implementojnë në rast të formimit të qeverisë, e ku Partneriteti për Zhvillim Ekonomik ka diskutuar për nevojat e sektorëve që përfaqësojnë.
Klubi i Prodhuesve të Kosovës së bashku me Shoqatën për Teknologji të Informacionitdhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (ShPDK), Kllasterin e Bizneseve të Industrisë së Metalit dhe Energjisë së Ripërtërishme të Kosovës (KIMERK), Shoqatën Kosovare për Marketing të Veshmbathjeve (KAMA), dhe Dhomën Ekonomike të Grave të Kosovës (G7), kanë iniciuar platformën e Partneritetit për Zhvillim Ekonomik.
Partneriteti për Zhvillim Ekonomik është iniciativë e cila ka për qëllim të avokojë për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit tonë, e në veçanti të sektorëve të cilët i përfaqësojmë si organizata.
Si objektiv kryesor i këtij partneriteti është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i vendit tonë. Por edhe inicimi i ndryshimeve në politikat dhe ligjet të cilat rrisin konkurrueshmërinë e kompanive vendore dhe promovojnë dhe avancojnë prodhimet dhe shërbimet “Made in Kosova”.
Për shkak të pandemisë të pranishëm ishin një numër i kufizuar i prodhuesve, mirëpo ngjarja u përcoll drejtpërdrejtë në rrjetet sociale të gjitha organizatave pjesë të Partneritetit për Zhvillim.