Kurti dhe Osmani e presin sot këshilltarin amerikan Derek Collet

11 janar 2023 | 08:43

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani sot do të presin në takime të ndara këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Sipas njoftimit të Presidencës, takimi mes Osmanit dhe Cholletit do të mbahet në orën 13:30.

Ndërsa qeveria ka njoftuar se takimi i kryeministrit Kurti me këshilltarin e lartë amerikan do të mbahet në orën 14:30.

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, nga dita e mërkurë do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Shkup, Prishtinë dhe më pas Beograd.

Chollet fillimisht vizitën e tij do ta nis në Shkup, ku do të bisedojë me përfaqësuesit e qeverisë për një sërë çështjesh, përfshirë energjinë dhe luftën kundër korrupsionit për të vazhduar më pas në Prishtinë ku do të diskutojë me krerët e shtetit për “një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve me fokus njohjen reciproke”.

Në një intervistë gjatë javës së kaluar për Zërin e Amerikës, Chollet tha se vizita e tij në Kosovë vjen në një moment kyç ndërsa kujtoi se Kosovën e ka vizituar vite më parë edhe me presidentin Bill Clinton.

“Mezi pres të kthehem në Kosovë. Vizita ime e fundit atje, ka qenë me ambasadorin Holbrooke shumë vite më parë. Mezi pres të shoh miqtë dhe kolegët e mi atje dhe të bisedoj përsëri me presidenten dhe kryeministrin”.

“Javët e fundit, për fat të keq, është parë një rritje e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në 48 orët e fundit kemi parë të ngriten barrikada, kemi parë të rihapen pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është një lajm i mirë”, shtoi ai.

Ai theksoi se dëshiron të fokusohet në bisedimet për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë si dhe për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne mendojmë se BE-ja ka përcaktuar një rrugë të qëndrueshme. Përsëri, do të jetë e vështirë dhe do të kërkojë shumë punë, vendime të vështira dhe guxim nga udhëheqësit për të lënë mënjanë dallimet dhe për të bërë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre”, kishte deklaruar Chollet.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit kosovar tha gjithashtu se vizita e nënsekretarin amerikan është më se e mirëpritur ngase vjen në një moment të rëndësishëm kur po afrohet njëvjetori i pushtimit rus të Ukrainës – i cili nisi më 24 shkurt 2022.

Pos Chollet, në kryeqytetin kosovar gjatë muajit janar pritet të zbarkojë edhe ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët e lartë të presidentit francez dhe kancelarit gjerman – Jens Polotner dhe Emmanuel Bonne.

Ndërkaq, më 12 janar, ai do të jetë në Beograd, ku me lidershipin serb do të diskutojë sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt synimit të Serbisë për t’iu bashkuar BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ujku Mackenzie Valley është ujku më i madh në botë.…