![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/05/ZKP-21-05-2020-780x439-1.jpg)
Kurti dhe Pendarovski diskutojnë për marrëdhëniet fqinjësore dhe situatën me Covid-19
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, gjatë bisedës, ata diskutuan mbi marrëdhëniet bilaterale dhe fqinjësore.
“Vëmendje e veçantë iu dha situatës së krijuar në të dy vendet pas përhapjes së pandemisë COVID-19. Kryeministri në detyrë Kurti dhe presidenti Pendarovski i komunikuan njëri-tjetrit gjendjen me Covid-19, masat që institucionet qeverisëse të vendeve respektive kanë ndërmarrë për luftimin dhe menaxhimin e kësaj pandemie, dhe rimëkëmbjen pas saj”.
“Bashkëpunimi bilateral dhe rajonal është gjithmonë i rëndësishëm, por veçanërisht në kohë të sotme. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për marrëdhënie bilaterale me fqinjët e saj dhe të jetë faktor kyç dhe kontribut-dhënës në regjion”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
(M.Q / Epoka e re)