Kurti dhe Rizvanolli vizitojnë ujësjellësin e Prizrenit, informohen për projektet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Hidroregjioni Jugor” në Prizren për t’u njoftuar nga afër për performancën e kësaj ndërmarrje.
Sipas një komunikate për medie është bërë me dije se në këtë takim është diskutuar rreth arritjeve dhe rëndësisë së ndërmarrjes për zhvillimin ekonomik dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.
Sipas kësaj komunikate, Kurti është njoftuar për projektet dhe investimet e ndërmarrjes, përfshirë zhvillimin në infrastrukturë në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, zgjerimin e shërbimeve cilësore dhe treguesit e performancës financiare në rritje.
“Së fundmi, KRU ‘Hidroregjioni’ ka përfunduar lidhjen me ujë të pijes për fshatin Gërnçar për 15 mijë familje, me 100 mijë euro investim nga Ministria e Ekonomisë. Kurse me përkrahje prej 102 mijë euro po ashtu nga Ministria e Ekonomisë, ndërmarrja po zbaton projektin për rehabilitimin dhe zgjerimin e ujësjellësit në Bllacë të Suharekës. Ndërkaq, KRU ‘Gjakova’ është duke realizuar edhe investimet për furnizim me ujë të pijshëm në fshatrat Hoçë e Madhe, Zoçishtë dhe Opterushë të Rahovecit me grant prej 500 mijë euro nga Ministria e Ekonomisë, projekt i cili pritet të përfundojë në qershor të vitit 2025, dhe që ndikon në përmirësimin e shërbimeve për konsumatorët e Hidroregjionit Jugor”
“Po ashtu, ndërmarrja publike ‘Hidroregjioni Jugor’ është në përfundim të rehabilitimit të rrjetit të kanalizimit në Prizren me grant prej 5 milionë euro nga KfW, gjë që mundëson shfrytëzim më efektiv të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Prizren, projekt i inauguruar në vitin 2021, i bashkë-financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Përveç zhvillimit të projekteve të mëdha infrastrukturore dhe sigurimin e furnizimit me ujë për banorët e regjionit, për herë të parë KRU ‘Hidroregjioni Jugor;, ka realizuar inkasim në shkallë 104.6%”, është thënë në komunikatën e zyrës së kryeministrit.