Kurti dhe Thaçi paraqitën fakte të rreme në Kushtetuese

15 maj 2020 | 09:26

Analisti Albert Krasniqi ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, edhe presidenti Hashim Thaçi, në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, kanë paraqitur fakte të rreme. Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë të gjitha palët duhet ta respektojnë çfarëdo vendimi që del nga Kushtetuesja, edhe nëse iu kushton me poste politike. Krasniqi ka thënë se afati i cili është caktuar nga Gjykata Kushtetuese, më 29 maj, nuk do të thotë se është afat përfundimtar, duke shtuar se kjo mund të jetë datë orientuese.

“Është mirë që Gjykata ka marrë vendimin për pezullim sepse kjo do të na çonte në situatë që do të kishim dy qeveri dhe do të kishim tensione politike. Palët meqenëse i janë drejtuar Kushtetueses duhet të respektojnë çdo aktgjykim që kjo mund të japë edhe nëse mund t’u kushtojë me poste politike”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar edhe komentet e dorëzuara nga palët në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, komentet e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ishin të shkruara në gjuhë juridike, duke e cilësuar më shumë si analizë politike. Krasniqi thotë se ata kanë paraqitur fakte të rreme. “Aty ka paraqitje të fakteve të rreme. Është rasti kur në vitin 2014 për gjashtë muaj është pritur partia e parë derisa ka dorëzuar emrin për kryeministër, gjë që nuk është e vërtetë, sepse pritja ka qenë për shkak të moskonstituimit të kuvendit”, ka thënë ai. Sipas tij, njëjtë ka vepruar edhe presidenti Hashim Thaçi, derisa shton se Kushtetuesja duhet t’i ketë parasysh këto raste.

“Paraqitje të fakteve të rreme kemi edhe te presidenti, i cili pretendon që në vitin 2017, pas mocionit të mosbesimit, Kuvendi ka shpërndarë vetveten, gjë që nuk ka ndodhur sepse presidenti e ka shpërndarë. Besoj se Gjykata Kushtetuese t’i ketë parasysh këto raste për këto palë që janë munduar ta vënë në lajthitje”, ka thënë ai.

Krasniqi për komentet e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se do të ishte e rrugës që të mos komentojë fare. “Janë diskutuar komentet e Osmanit që nuk kanë qenë në linjë me LDK-në. Do të ishte e rrugës që ajo të mos komentojë fare, ndonëse unë nuk pajtohem me pretendimet e Osmanit, megjithatë duhet respektuar atë që ajo ka paraqitur”, ka thënë Krasniqi.

 

(B. D.: ‘Epoka e re’)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KLIKO KETU FAQJA PDF/ Komuna e Drenasit - VENDIM PRELIMINAR…