Kurti dhe Vuçiqi bëhen gati për pikën e nxehtë të dialogut

25 tetor 2023 | 11:22

Sy e veshë do të jenë të enjten në Bruksel, ku do të qëndrojnë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Për herë të parë pas 42 ditësh, ata do të jenë sërish në kryeqendrën evropiane me ftesë të Bashkimit Evropian.

Dy udhëheqësit pritet të takojnë veç e veç edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Takimet do të zhvillohen në margjinat e një samiti të BE-së dhe kureshtjen për to e shton një njoftim i bllokut të martën.

Kemi bërë një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Deklarata e tij pasoi vizitën e pesë të të dërguarve perëndimorë në Prishtinë dhe Beograd, më 21 tetor, por nuk ofroi detaje se çfarë përmban propozimi.

Asociacioni është ndër pikat më të nxehta në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Beograd insistojnë në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa në Prishtinë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Për themelimin e tij, palët kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, ndërsa më 2015 janë pajtuar edhe për parimet e tij.

Po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se këto parime janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ka kërkuar që ato të harmonizohen përmes akteve nënligjore.

Zotimi për themelimin e Asociacionit është përtërirë sërish këtë vit në Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që Kosova dhe Serbia e kanë arritur në Bruksel dhe e kanë konfirmuar në Ohër.

Stano ka paralajmëruar se të ftuarit në Bruksel të enjten, do të diskutojnë rreth një “propozimi modern evropian” për Asociacionin dhe zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Ai, po ashtu, ka thënë se BE-ja pret veprim të shpejtë të palëve.

“Radio Evropa e Lirë” nuk ka mundur ta sigurojë përmbajtjen e propozimit për të cilin foli Stano.

Në të kaluarën janë përmendur ose nxjerrë disa drafte për statutin e Asociacionit, por BE-ja ka thënë se diskutimet për to duhet të bëhen vetëm në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, të cilat i ndërmjetëson vetë.

 

Një draft i hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, përfshirë një deputete të Kuvendit të Serbisë, është paraqitur në Bruksel më 2 maj.

Por, ai është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Kurti, i cili e ka cilësuar si “të papajtueshëm” me Kushtetutën e Kosovës, ashtu si edhe me vlerat evropiane dhe të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane.

Në vend të tij, Kurti ka dalë me një draft-vizion të vetin se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që e rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë.

Ai ka thënë se dokumenti i tij bazohet në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht në modelin e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci (SNV).

Çfarë është modeli kroat?

Siç shkruan në ueb-faqen e këtij këshilli, ai “është një person juridik jofitimprurës”. Ai e ka vulën dhe simbolet e veta, të krijuara në përputhje me Ligjin Kushtetues Kroat për të Drejtat e Pakicave Kombëtare. Gjithashtu ka kryesinë, kuvendin, bordin mbikëqyrës, presidentin dhe këshillin.

Disa nga qëllimet e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci përfshijnë: promovimin dhe realizimin e të drejtave në fushën e kulturës, arsimit, ekonomisë dhe interesave të tjera të serbëve, si dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar, kulturor, gjuhësor dhe fetar.

Statuti specifikon se ky këshill vepron në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave dhe lirive fetare, të zhvillimit të komunitetit lokal, të zhvillimit të qëndrueshëm, të zhvillimit të zonave rurale dhe bujqësisë etj.

Ai bashkëpunon me institucionet shtetërore, qendrore dhe lokale, me organizata dhe institucione qeveritare dhe joqeveritare, si dhe me organizata ndërkombëtare.

Anëtarë të këtij këshilli janë përfaqësues të pakicës kombëtare serbe. Ai financohet nga buxheti kroat, por edhe nga mjetet e marra nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, donacionet, të hyrat vetanake, fondet e BE-së dhe aranzhime të tjera që janë në përputhje me ligjin kroat.

Cili është propozimi i FES-it?

Në raportimet e disa mediave në Prishtinë u tha se propozimi që përmendi Stano, është më i afërt me një draft-statut që ka nxjerrë në janar organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

I përbërë nga shtatë kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut ka paraparë mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të Asociacionit, përfshirë simbolet.

Sipas FES-it, Asociacioni mund të ushtrojë edhe kompetenca shtesë, të cilat mund të delegohen nga autoritetet qendrore të Kosovës.

Sa i përket strukturës, ky draft-statut ka paraparë që Asociacioni të ketë: kuvendin, kryetarin, nënkryetarin, këshillin dhe bordin e Asociacionit.

FES-i ka paraparë disa objektiva të këtij organi, sikurse forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimin e interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.

Sa i përket buxhetit, në këtë draft-statut është paraparë që Asociacioni të financohet nga kontributet e komunave pjesëmarrëse, nga të ardhurat e shërbimeve që ofron ky organ, pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Serbinë.

Trysnia mbi Kosovën

Si Bashkimi Evropian, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë shpeshtuar së voni thirrjet që Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Pasi kryeministri Kurti i ka kritikuar ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve për anshmëri në proces, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se draft-statuti për Asociacionin duhet të përgatitet me Shtetet e Bashkuara.

Për ShBA-në, Asociacioni duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ndër hapat e parë që duhet t’i bëjë Kosova për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Për BE-në, çështja se si bëhet Asociacioni dhe si do të operojë, duhet të diskutohet në dialog.

Kurti dhe Vuçiqi janë takuar për herë të fundit më 14 shtator.

Bisedimet të enjten vijnë një muaj pas sulmit në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjeve, që kanë nxitur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Duke folur për gazetën britanike, “Financial Times”, më 25 tetor, Kurti ka thënë se “nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”.

“Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Egzon Kabashi nga Gjakova shpall të pavlefshme certifikatën e TVSH-së…