Kurti dhe Vuçiqi do të takohen më 26 qershor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).
Takimi është konfirmuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Për mbajtjen e rundit të ri të dialogut është rënë dakord gjatë vizitave që Lajçaku ka zhvilluar në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave.
Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiqi ishin takuar në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur kishin diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim nuk pati rezultuar pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.
Disa ditë më vonë, më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit – në veri të Kosovës – duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
Që atëherë, Perëndimi është përpjekur disa herë të bindë Kurtin dhe Vuçiqin që të ulen në tryezën e bisedimeve për të diskutuar për hapat për zbatimin e marrëveshjes.
Kjo marrëveshje, e cila është arritur vitin e kaluar nuk është nënshkruar nga palët, por BE-ja ka thënë se ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Megjithatë, BE-ja e cila që nga viti 2011 ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka kritikuar palët për moszbatimin e marrëveshjes.
Edhe gjatë vizitës në Kosovë më 18 qershor, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka përsëritur kërkesën që palët të përshpejtojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. /REL