Kurti dhe Vuçiqi takohen më 2 maj në Bruksel
Bashkimi Evropian (BE) ka njoftuar se të martën është themeluar Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Marrëveshja është arritur më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa pajtueshmëria për aneksin e zbatimit, më 18 mars në Ohër.
Lajmin për themelim e këtij komisioni e ka bërë me dije zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Po ashtu, ai ka konfirmuar se takimi i radhës i nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq do të zhvillohet më 2 maj në Bruksel.
“Detyra e Komisionit të përbashkët është që të mbikëqyrë implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e implementimit të saj. Ky është rezultat konkret dhe implementim konkret i asaj që ishte arritur para 30 ditësh, në takimin e nivelit të lartë, mes presidentit të Serbisë, Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Kurti“, ka thënë Stano, raporton “Rel”.
Sipas BE-së, anëtar i këtij Komisioni të përbashkët do të jetë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, i cili do ta kryesojë atë trup, në emër të BE-së.
Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë, shefi i delegacionit të saj për dialog, Petar Petkoviq.
Zëdhënësi i BE-së ka njoftuar se ky komision i përbashkët do të takohet rregullisht në Bruksel, ndërsa hollësitë do të saktësohen dhe miratohen në takimin e parë të tij.