Kurti dhe zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë bisedojnë për situatën në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay, i cili shoqërohej nga ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili dhe këshilltari i presidentit Rexhep Taip Erdogan, Sabri Demiri
Sipas njoftimit të qeverisë, në këtë takim është konfirmuar përkushtimi për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
“Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë, në çdo fazë të shtet-formimit, shtet-ndërtimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, duke theksuar se mirëpritet bashkëpunimin me kabinetin e ri të presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Fuqizimi i raporteve në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe shëndetësisë, dhe planet e përpjekjet e dy palëve për të krijuar një forum ekonomik të përbashkët, ishin prej temave kryesore të diskutimit të sotëm. Krahas tyre, kryeministri Kurti njoftoi delegacionin turk, të udhëhequr nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Bozay edhe për procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën në katër komunat në veri”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.