Kurti dhe zyrtari i lartë britanik diskutojnë për procesin e dialogut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim drejtorin e Evropës në Ministrinë e Britanisë së Madhe për Punë të Jashtme dhe Zhvillim, Giles Portman, i cili shoqërohej ambasadori britanik, Nicholas Abbott.
Fillimisht, Portman ka uruar kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë britanike për të vazhduar të përkrahë Kosovën, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.
Kurti ka thënë se ai është i përkushtuar që qeveria që udhëheq të thellojë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale me Britaninë e Madhe.
Më tutje, Kurti ka shprehur mirënjohje të veçantë për ndihmën rreth njohjeve për Kosovën dhe ka kërkuar bashkëpunim të mëtejmë me Britaninë për njohje të reja.
Kurti dhe Portman kanë biseduar në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe procesin e përgatitjes për dialog.
Po ashtu, në këtë takim është biseduar për gjendjen me pandeminë dhe masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Portmani ka potencuar faktin që pasi Britania është jashtë BE-së, është rritur mundësia për fuqizim të bashkëpunimit bilateral.
Të dy palët kanë shtruar nevojën për investime të reja, të cilat do të sjellin punësim, veçanërisht për të rinjtë.
Në këtë drejtim, kryeministri Kurti ka potencuar nevojën e ardhjes në Kosovë të brendeve të mëdha, në formë partneriteti me ndërmarrësit shqiptarë nga mërgata.