Kurti: Diaspora ka kontribuar me 720 mijë euro në fondin emergjent
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë me dije se janë mbledhur 720 mijë euro nga mbështetja financiare e diasporës për luftimin e Covid-19.
Duke i falënderuar të gjithë që kontribuan për këtë ndihmë financiare, Kurti ka thënë se diaspora ka një rëndësi shumë të madhe për Republikën e Kosovës dhe se kjo rëndësi e saj është reflektuar në vëmendjen që ajo ka në Programin e Qeverisë.
“Në këtë drejtim, ne e mendojmë ta fuqizojmë rolin e ndërmjetësues të diasporës në takime të niveleve të larta tek vendimmarrësit politikë dhe korporatat e mëdha në vendet ku ata jetojnë, duke krijuar mekanizma, sikurse ai i Këshillit Nacional për Investime të Huaja dhe Strategjike, që do të vendoset në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Tutje, ne e shohim diasporën si kapital human, përpos financiar”, ka thënë Kurti gjatë një bashkëbisedimi virtual me përfaqësues dhe ndërmarrës të platformave ekonomike në Evropë.