Kurti: Diaspora nuk duhet të jetë e ndarë, por e integruar
Fjalimi i plotë i Kurtit në Kongresin e dytë ekonomik, Unioni i Bizneseve shqiptaro-gjermane në Gjermani:
Është kënaqësi të jem me juve këtu, sepse jeni ju të dashur bashkatdhetarë, sepse sot është 30 vjetori i rënies së murit të Berlinit, dhe, sepse jemi këtu në Frankfurt, në kryeqytetin financiar të Bashkimit Evropian.
I nderuari z. Nazmi Viqa, kryetar i Unionit të Bizneseve shqiptaro-gjermane,
I nderuari z. Murat Jashari, nip i Adem e Hamzë Jasharit,
I nderuari, shkëlqesi, ambasador i Republikës së Kosovës këtu në Gjermani, z. Beqë Cufaj,
I nderuari z. Sanftenberg, përfaqësues i GIZ-it,
Kryetarë të komunave,
Ndërmarrës e politikanë, aktivistë e qytetarë,
Para se të flas për programin dhe vizionin e qeverisë së re, më lejoni të them disa fjalë për diasporën si familjarë dhe qytetarë tanë.
Fjalët si diasporë dhe mërgimtarë krijojnë nganjëherë përshtypjen sikur po flasim për një pjesë të ndarë, diçka që është ndryshe nga ne, diçka e përjashtuar dhe e largët.
Por mua më tingëllon ndryshe. Kur unë mendoj e flas për diasporën nuk flas për një trup të huaj e të jashtëm por për një pjesë të familjes që jeton pak më larg.
Sepse kështu është në të vërtetë. Diaspora janë anëtarët tonë të familjes që jetojnë larg shtëpisë. Secila familje në Kosovë e ka dikë në diasporë.
Jeni pjesë e identitetit tonë historik, por edhe e psikikës tonë njerëzore, e traumës në të kaluarën dhe e shpresës për të ardhmen.
Prandaj si shtet duhet të mendojmë e kujdesemi për diasporën siç mendojmë për familjarët tanë sepse emigrimi nuk ka qenë vendim i lehtë për askënd. Prindërit që vendosin të jetojnë larg fëmijeve e fëmijë që vendosin të jetojnë larg prindërve vështirë të thuhet se këtë, ndonjëri, ndonjëherë e bëri nga vullneti.
Ju vërtetë jetoni në shtete të ndryshme të botës, por çdoherë brenda kombit, brenda gjuhës, brenda historisë, brenda kulturës e brenda sportit. Historia jonë është e lashtë dhe e dhimbshme, por është e jona.
Atë nuk do ta harrojmë ne, e nuk do ta harrojnë as gjeneratat që vijnë pas nesh. Në të kaluarën tonë e gjejmë fuqinë për të ecur përpara e për të mbërritur atë që shumëkush e ëndërronte, por pak kush e arriti. Kudo që ju jeni, jeni pjesë e kombit, jemi bashkë.
E di se nuk është lehtë të ikësh nga vendi yt dhe të shkosh në një vend të huaj e të përballesh me sakrificën larg familjes, me vështirësitë e një populli në një vend të huaj.
Por, ky është realiteti.
Ne nuk mundemi ta kthejmë kohën pas por mund të fitojmë kohën që kemi përpara.
Prandaj është mirë që jam këtu sot me juve sepse mund të them disa fjalë që mund t’i kthejmë bashkë edhe në veprime konkrete për të fituar këtë të ardhme.
Sot në botë njerëzit, shërbimet e të mirat udhëtojnë më shpejt se kurdoherë, rrjedhimisht, diaspora nuk është edhe shumë larg dhe roli e rëndësia e saj bëhen shumë të mëdha.
Diaspora kontribuon në vendin ku jeton sepse paguan taksat dhe detyrimet, por paguan edhe në vendin prej nga vjen.
Ju nuk na sillni vetëm para të gatshme, nuk na sillni vetëm makina e nuk na i paguani vetëm dasmat e ahengjet, e shëndetësinë e familjarëve tuaj e tonë.
Ju sillni ide, kulturë dhe shkathtësi e njohuri që i merrni nga vendet më të zhvilluara e të cilat mungojnë në vendin tonë.
Pra, ju jeni pasuria jonë që çdo popull do ta kishte lakmi. Por sikur çdo pasuri tjetër, edhe kjo e juaja është e tillë vetëm nëse ne dimë ta përdorim për të mirën e përbashkët.
Paratë që ju i dërgoni e të cilat shpesherë janë jetike për bashkëqytetarët tanë në Kosovë dhe jo vetëm, shkojnë për konsum në mallra dhe shërbime të cilat përgjithësisht ne nuk i prodhojmë.
Shkathtësitë e njohuritë që ju posedoni ne do t’ua mundësojmë që të kthehen në biznese të reja, në investime strategjike, e në udhëheqje ndërmarrjesh të cilat do të hapin vende të reja pune por edhe do të ju lidhnin juve më shumë me atdheun tonë.
Me pak fjalë, dashurinë e madhe e të pa kompromis që ju e keni për atdheun nga i cili nuk kërkoni asgjë, por vetëm i dhuroni gjithçka, ka ardhë dita që ta kthejmë në partneritet strategjik për të mirën e vendit tonë.
Rolin e diasporës shqiptare, ne e shohim si vlerë kulturore, si vlerë ekonomike dhe si ndërmjetësuese për vlerë të shtuar.
Shtetet e fuqishme i kanë ambasadat e fuqishme. Ne nuk jemi ende shtet i fuqishëm, e nuk i përballojmë dot siç duhet e sa duhet ambasadat, por jemi komb i madh e i shpërndarë. Fati në fatkeqësinë tonë kombëtare të emigrimit është se sot jemi kudo, por jemi edhe shumë të ndarë.
Ne duhet të bëhemi bashkë, ne duhet të investojmë në atë që na bashkon: në gjuhë, në histori, në letërsi, në muzikë, në art e në kulturë. Prandaj në qeverisjen tonë do të krijojmë qendrat kulturore për të cilat shteti kujdeset që gjuha, kultura dhe historia e brezave të mësohet nga fëmijët kudo.
Ambasadori më i mirë e më i fuqishëm është vetë diaspora jonë. Prandaj sot krenohemi me Dua Lipën e Rita Orën, Granit Xhakën e Rene Rexhepin. Ata janë pjesë e kombit tonë.
Diasporën e shohim edhe si vlerë ekonomike. Çdo vit diaspora dërgon 1 miliard euro në remitanca. Kur llogariten edhe makinat, dasmat e shpenzimet e pushimit kjo shifër shkon gati sa buxheti i shtetit tonë. Ky është kapital të cilin secili shtet do ta kishte zili.
Dhe në një botë ku njerëzit, shërbimet e të mirat udhëtojnë më shpejt se kurdoherë, diaspora edhe nuk është larg dhe bëhet posaçërisht më e rëndësishme.
Por diaspora duhet shikuar përtej parave dhe gjërave materiale që sjell. Diaspora sjell shkollë, ide dhe shkathtësi, sjell etikën dhe kulturën e punës të cilat mund të zhvillojnë dhe të hapin biznese të reja.
Diaspora mund të sjellë edhe kulturë të re qeverisjeje e cila është në hap me vendet e zhvilluara ku ajo jeton, këtu në Gjermani, në Evropën Perëndimore e në mbarë globin. Pra, na duhet një qasje e cila diasporën e konsideron edhe si kapital ekonomik, por edhe si kapital njerëzor.
Dhe, roli i diasporës si ndërmjetësuese për vlerë të shtuar. E mirëorganizuar, diaspora mund të mundësojë dhe ndërmjetësojë takime të nivelit të lartë te vendimmarrësit politikë dhe korporatat e fuqishme në vendet ku jetojnë; mund të sjellin investitorë në ekonominë tonë, në bujqësi e në turizëm.
Këtë edhe e bëjnë sot shumë individë në baza individuale të cilëve u jam mirënjohës e falënderues sa s’thuhet, por nëse organizohemi ky rol mund të rritet, duhet të rrihet e do të rritet dhe të ketë efekt më të madh në punësim posaçërisht të rinisë e të grave.
Sa i përket përfaqësimit të diasporës sonë, ka shumë modele të cilat ne duhet të jemi të hapur në vlerësim dhe t’i shqyrtojmë me kujdes. Puna që “Germin” ka bërë dhe vazhdon ta bëjë është tejet e rëndësishme dhe ne do ta vazhdojmë e thellojmë bashkëpunimin. Duhet të mësojmë nga të tjerët gjithashtu.
Irlanda është një shembull në këtë drejtim. Irlanda është një shembull sepse me Global Irish Network, me Global Irish Economic Forum dhe Irish Abroad Unit ajo mund të shërbejë si ilustrim e mënyrë që e ndjekim edhe ne.
Deri tani vërtetë ne kemi pasur ministri për diapsorë, por nuk mund të thuhet fort që kemi pasur diasporë në ministri. Pra, në vend që në këtë ministri, ministri dhe pjesa më e madh e stafit të ishin nga diaspora dhe kjo të kthehej në shembull të kthimit të trurit, është për keqardhje që aty jo rrallë u vendosën njerëzit që nuk mund të lavdërohen për trurin e tyre dhe që e mundësuan ikjen e trurit. Prandaj, angazhimi ynë institucional për diasporën do të bëhet me diasporën.
Diaspora nuk duhet të jetë e ndarë nga pjesa tjetër e shoqërisë por e integruar, prandaj nuk mund ta konsiderojmë përfaqësimin si të rezervuar për diasporën, por si pjesë përbërëse. Duke e ftuar diasporën që të marrë pjesë në konkurse publike, duke e ftuar që të garojë për parlament, të marrë pjesë në pozita të emëruara, në konkurencën e bashkëpunimin ekonomik dhe duke e ftuar në konsultime, ne e vendosim në nivel më të lartë sesa të përfshirjes, sepse e vendosim në nivel të pjesëmarrjes.
Ne e shohim posaçërisht diasporën të integruar në vendimet ekonomike. Qeveria e re diasporën nuk do ta konsiderojë si pjesë të cilës i tregojmë se çka duhet të bëjë, por si proces në të cilin e ftojmë të marrim vendime të përbashkëta. Për të arritur këtë na duhet një organizim shtetëror cilësor. Na duhet të evidentojmë rolin, nivelin e edukimit dhe të shkathtësive të secilit në mënyrë që procesi i angazhimit e konsultimit të jetë proces i mirëfilltë. Rrjetet e biznesit duhet të jenë funksionale dhe aktive.
Ne jemi zotuar që të themelojmë rrjetin e qendrave kulturore aty ku jeton mërgata jonë, si organizim i qëndrueshëm dhe i përhershëm, por parimi duhet të jetë që shteti merr obligime.
Tash do të theksoj disa prej prioriteteve tona themelore.
Mësimi në gjuhën shqipe: tanimë kemi dhënë zotimin për rimëkëmbjen e shkollave në gjuhën shqipe ose futjen në kurrikulat zyrtare të vendit pritës të gjuhës shqipe. Ky do të jetë objektiv madhor i qeverisë sepse gjuha, historia e kultura na mbajnë të bashkuar.
Tjetra, mundësimi i votës së lirë: jemi në gjendje të themi se e drejta e votës për mërgimtarët do të garantohet. Mjaft më me posta që arrijnë e s’arrijnë, me zarfe që komplikojnë e vonojnë. Do të votohet në ambasada, në konsullata, në përfaqësitë tona diplomatike.
Duhet të jemi atraktiv: të gjitha këto që përmenda mund të bëhen dhe do të bëhen. Por, nuk duhet të harrojmë një gjë. Përkundër origjinës së njëjtë, diaspora jonë është një grup hetorogjen. Jetoni në vende të ndryshme të botës dhe bashkëveproni me kultura të ndryshme. Qeveria jonë do të jetë e kujdesshme që të ofrojë lidhje të shumta e të ndryshme me qeverinë, sepse secili e përjeton ndryshe lidhjen me vendin e tij.
Po ashtu, puna duhet të jetë e dyanshme. Nuk mjafton vetëm angazhimi i qeverisë apo vetëm angazhimi i diasporës, prandaj puna nuk duhet të bëhet vetëm nga Prishtina apo nga Tirana, por nga secili vend ku ka mundësi të mira organizimi.
Qendrat kulturore, rrjetet e shoqatat dhe çfarëdo organizimi që bëjmë duhet të jenë atraktive dhe funksionale, jo vetëm formale.
Fondi Sovran Investues: me Fondin Sovran do të krijojmë mundësi për diasporën që të blejë aksione në të ardhmen dhe kësisoj ajo të bëhet aksionere e aseteve publike që mundësojnë zhvillimin ekonomik.
Por gjithashtu, do të kemi edhe Bankën Zhvillimore, si mundësi për qasjen në financa me kredi të buta e afatgjate. Bizneset në Kosovë përmendin tri vështirësi kryesore: varfërinë e popullsisë, pra kërkesën e ultë agregate apo fuqinë e vogël blerëse të popullsisë; qasjen e vështirë në financa për shkak të kapitalit të shtrejtë të bankave komerciale; dhe, korrupsionin e përhapur në institucionet e sistemit. Me qeverinë tonë, në qeveri ndalet e ndalohet korrupsioni, dhe, luftohet pa kompromis ai, si në institucionet tjera gjithashtu edhe në shoqëri mbarë.
Të dashur bashkatdhetarë,
Tri entuziazme në historinë tonë më të re i kemi pasur. Entuziazmi i parë ka qenë në qershorin e vitit 1999 – Çlirimi. Entuziazmi i dytë ka qenë në shkurtin e vitit 2008 – Shpallja e Pavarësisë. Tash, pas 6 tetorit të vitit 2019 dhe ndryshimit politik e kemi entuziazmin e tretë.
Entuziazmi i parë është përdorur për kthimin e refugjatëve në vatrat e tyre dhe rindërtimin e shtëpive të djegura, shkatërruara apo të dëmtuara nga Serbia. Entuziazmi i dytë, i shpalljes së pavarësisë, është shprehur në njohjet e më pastajme ndërkombëtare dhe gjithashtu në iniciativat e ndryshme ekonomike. Entuziazmi i tretë duhet të jetë entuziazëm për zhvillim ekonomik të qytetarëve të Republikës, të diasporës mbarë, sepse ju jeni jashtë shtetit e brenda kombit, e tash, me këtë entuziazmin e tretë e posaçërisht të vërtetë, do të mbeteni brenda kombit e do t’ju risjellim edhe brenda shtetit.
Ju falemnderit shumë.
/Epoka e re/