Kurti diskuton me diplomatët e QUINT dhe BE-së: Kërkesa e Serbisë për zgjedhje, nevojitet marrëveshje nder-shtetërore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e Republikës se Kosovës, Besnik Bislimi, pritën në takim sot përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimi për medie, në këtë takim u diskutua për temat aktuale si dhe kërkesën e Serbisë drejtuar OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.
“Kryeministri theksoi se për këtë çështje ai ka informuar tashmë OSBE-në se për organizim të votimeve jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”.
“Ai shprehu keqardhjen e tij për mungesën e gatishmërisë se Serbisë për një marrëveshje të tillë që do të ju mundësonte shtetasve të Republikës së Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë të marrin pjesë në zgjedhje sipas praktikave më të mira evropiane ndërshtetërore për votim nga jashtë vendit”, thuhet tutje në njoftim.