Kurti diskuton me homologun e Vanuatusë për ligjin dhe korrupsionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar të premten në Nju-Jork me kryeministrin e Vanuatusë, Charlot Salwai, me cilin ka diskutuar për sundimin e ligjit, sigurinë, luftimin e korrupsionin.
Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri trajtoi dhe avancimin e shtetit tonë në tri vitet e fundit, politikat e ndërmarra në sektorë kyçë dhe perspektivën për të ardhmen”.
“Ai nënvizoi sundimin e ligjit, sigurinë, luftimin e korrupsionit dhe iniciativat në fushën e diplomacisë, e për të cilat shprehu gatishmërinë e Kosovës që të ndajë përvojat respektive përmes trajnimeve dhe akademive në vendin tonë”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Sipas këtij njoftimi, çështje diskutimi ka qenë edhe rritja e bashkëpunimit mes dy shteteve.
“Palët u takuan në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në tregti, shkëmbime kulturore dhe edukim, dhe për politikat e dy vendeve në përballje me ndryshimet klimatike”.
“Duke shprehur vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit dhe për më shumë shkëmbime mes dy vendeve tona”, ka njoftuar zyra e Kurtit.
Më 25 shtator, Kurti ka udhëtuar për në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Me kreun ekzekutiv për vizitë zyrtare është duke qëndruar edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.