Kurti diskuton me kryetarin e Presidencës së BiH për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen me letërnjoftime
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Paris në prag të Forumit të Paqes është takuar me përfaqësuesin e presidencës së Bosnjë Hercegovinës, me të cilët ka biseduar për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve nga Procesi i Berlinit.
Përmes një shkrimi në platformën ‘X’, ka thënë se marrëveshja për lëvizjen me letërnjoftime.
“Faleminderit kryetarit të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zheljko Komshiç dhe anëtarit të Presidencës, Denis Beçiroviç, për një takim produktiv. Diskutuam rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht asaj për lëvizjen e lirë me letërnjoftim dhe eksploruam bashkëpunimin e mëtejshëm”, shkruan Kurti.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës, ka udhëtuar të mërkurën drejt Francës, ku me ftesë të presidentit francez, ka marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të PPF-së, derisa pritet të jetë pjesë e darkës me krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse të enjten, ndërsa të shtunën (11 nëntor) do të marrë pjesë në një panel diskutimi, por pritet të ketë edhe aktivitete të tjera, përfshirë takime bilaterale.
PPF-ja është një event madhor tradicional, ku liderët botërorë, diplomatët, krerët e organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të shoqërisë civile mblidhen për të adresuar nevojat e bashkëpunimit të shteteve për çështje të ndërvarura, posaçërisht në kohëra të turbulencave ndërkombëtare e nën trysninë e kërcënimeve të sigurisë.
Albanian Post ka kuptuar nga burime ndërkombëtare se kryeministri kosovar dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohet në kuadër të PPF-së për të diskutuar hapat e radhës drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) në kuadër të përpjekeve të bashkësisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve.