
Kurti dje dha dorëheqje, sot mban mbledhje të qeverisë: Nuk mund të ketë ndalim funksionimi
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vazhduar kritikat ndaj PDK-së, LDK-së, dhe AAK-së.
Ndonëse dje ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit Kurti sot sërish ka mbledhur kabinetin e tij qeveritar.
Në adresimin e tij, fajin për dështimin e seancës konstituive Kurti sërish ia ka hedhur opozitës së mandatit të kaluar.
“Konstitutivit i Kuvendit dje u pamundësua sepse partitë opozitare PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK, nuk votuan për verifikimin e mandateve si deputet. Në thelb ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit, po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër. Qeveria është në detyrë, dhe i dorëhequr efektivisht nga 23 marsi, kur kemi përmbushur mandatin e rregullt dhe të plotë. Nga ajo ditë e deri në zgjedhjen e qeverisë së re, qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takon të pushtetit në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo e vendos qeverinë në rol kujdestar për të garantuar vazhdimësinë dhe funksionimin e shtetit në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai ka treguar se pse nuk mund të largohet nga zyra e tij.
Sipas tij, largimi i tij dhe ministrave nga zura do të shkaktonte vakum institucional.
“Krahas përmbushjes së mandatit të plotë që na bën rol kujdestar deri në formimin e qeverisë të re, unë në emër të kabinetit i jam drejtuar Kuvendit me letër që e kam njoftuar për statusin e qeverisë tonë pas datës më 23 mars dhe dorëheqjen time nga posti ekzekutiv veç se efektiv nga ajo datë. Më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje, më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, vakum institucional, dhe rrezikim i sigurisë kombëtare. Është kërkesë edhe insistim, e thënë së buti i pamatur, për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, ka deklaruar Kurti.
Ani pse juristët kanë mendim krejt ndryshe, Kurti ka pretenduar se me veprimin e tij është duke e respektuar Ligjin për Qeverinë.
Ai ka thënë se ky ligj cakton kufizime për qeverinë në detyrë, por jo ndalim të funksionimit.
“Ligji për Qeverinë e bënë të qartë se një qeveri në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj, ndonëse të kufizuara. Mbledhja sot dhe ushtrimi i kompetencave të tjera janë të lejueshme dhe të detyrueshme sipas ligjit. Kemi funksione të kufizuara, por asesi nuk mund të ketë ndalim funksionimi. Shteti nuk mund të ketë vakum qeverisje, qeveria nuk mund të ketë ndalim funksionimi”, ka thënë ai.
Më tutje, ai ka folur për veprimet e qeverisë të kaluara, duke harruar se aso kohe nuk kishte Ligj për Qeverinë.
“E kemi shembullin e ish-kryeministri Thaçi që edhe pse kishte dhënë betimin në korrik 2024, kishte qenë në pozitë deri në dhjetor të atij viti. Haradinaj dha dorëheqje në korrik 2019, vazhdoi në detyrë deri në shkurt 2020 si në detyrë. Ish-kryeministri Hoti mbeti në detyrë deri në formimin e qeverisë, pavarësisht se qeveria e tij u shpall e jashtëligjshme nga Kushtetutesja”, ka deklaruar Kurti, duke vazhduar të tërheq paralele me veprimet e qeverive të kaluara.
“Pra, në historikun tonë të formimit të institucioneve kemi shembuj nga e kaluara kur një qeveri e udhëhequr nga PDK, ndonëse me Kuvend të shpërndarë, një qeveri e udhëhequr nga AAK, ndonëse e dorëhequr dhe një qeveri e udhëhequr nga LDK, ndonëse e shpallë si e jashtëligjshme, kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Por, një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse ka përmbushur mandatin e saj të rregullt katërvjeçar na u dashka të largohet nga zyrat e saj një orë e më parë”, ka vlerësuar Kurti.