Kurti: Do ta respektojmë vendimin e Kushtetueses

31 mars 2020 | 20:56

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe Qeveria në detyrë do të respektojnë vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me masën e ndalimit të lëvizjes.

Kurti në emisionin “Desku” në KTV, tha se është i befasuar me vendimin e Kushtetueses, por vlerësoi edhe mirëkuptimin e saj, siç e quajti ai shtyrjen e afatit deri më 13 prill për shfuqizim të kësaj mase të marrë nga Qeveria për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Ai në intervistën e parë që pas kalimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, tha se muaji prill do të jetë vendimtar në luftën ndaj Covid-19.

“Unë jam befasuar me vendimin, por do ta respektojmë. Po të thuhej që aktgjykimi do të zbatohej menjëherë, atëherë do të na bënte shumë dëm. Duket se ka qenë një vendim në siklet e sipër i Gjykatës Kushtetuese. Ajo na ka dhënë të drejtë se nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme. Sidoqoftë ne do ta respektojmë dhe jemi me fat që ka dhënë afat deri më 13 prill. Ishte njëlloj pragmatizimi jodogmatik i Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti në “Desku”

Ai shtoi se deri më 13 prill, Qeveria do të nxjerr një vendim të ri, me procedurë tjetërfare.

“Gjykata Kushtetuese nuk na ka kontestuar legjitimitetin e qëllimit”, shtoi Kurti.

Sipas tij, do të shikohet mundësia të bëhet një ligj, por shtoi se tash është e vështirë të mblidhet Kuvendi.

“Kjo mund të bëhet me një ligj në Kuvend, por tash nuk e mbledhim kollaj Kuvendin, por duhet të shohim”.

Kurti vlerësoi shumë edhe ndihmat që ka marrë shteti në luftë kundër koronavirusit.

“BE-ja na ka dhënë dje 5 milionë euro pajisje medicinale, SHBA-ja 1.1. Ne jemi shumë falënderues për një ndihmë kaq të vlefshme në kohë të vështirë. Ne kemi nevojë për çfarëdo lloj ndihmash”, tha kryeministri në detyrë, Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Teuta S. Haxhimusa Burrin e sëmurë dhe të paaftë…