Kurti do ta vizitojë Turqinë, pritet të takohet me Erdoganin dhe diplomatin Fidan

31 maj 2024 | 00:12

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë së shpejti për vizitë në Turqi, ku do të takohet me Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.

Kjo është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit, pas takimit që Kurti ka zhvilluar me ambasadorin turk në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ku thuhet se temë diskutimi ka qenë agjenda e vizitës së Kurtit në Ankara e Stamboll.

“Ky takim u zhvillua në prag dhe të vizitës zyrtare të kryeministrit Kurti në Ankara dhe Stamboll ditët e ardhshme, ku në mesin e agjendës do të ketë mundësi të zhvillojë dhe një takim bilateral me Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.Në Stamboll do të mbahet edhe Forumi i parë Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë ku do të marrin pjesë biznese të shumta nga Kosova dhe Turqia si një mundësi unike për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar”, thuhet në komunikatë.

Gjatë bashkëbisedimit, u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe rëndësia e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta edhe në fushat e kulturës, mbrojtjes dhe investimeve. Dy vendet tona ndajnë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale andaj dhe thellimi e përforcimi i tyre mbetet objektiv i dyanshëm.

Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë e popullit të saj ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, veçanërisht për rolin e saj në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e përkrahjen e palëkundur së fundmi për aderim në Këshillin e Evropës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i MAPL-së, Arbër Vokrri, thotë se hapja e Urës…