
Kurti: Do të bëhen mbi 250 milionë euro investime në infrastrukturën sportive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se do të investohen 250 milionë euro investime në infrastrukturë sportive, duke përfshirë edhe Stadiumin Nacional. Ai ka shprehur besimin se brenda pak vitesh, Kosova do të ketë infrastrukturën më të mirë në rajon.
“Do ta organizojmë ngjarjen më të madhe sportive në histori të vendit, Lojërat Mesdhetare 2030 për të cilat do të bëhen mbi 250 milionë euro investime në infrastrukturë sportive. Veçanërisht me intensitet të lartë do të punohet në rregullimin e infrastrukturës së futbollit me 200 milionë euro për 20 stadiume anë e mbanë vendit. Vendi ynë do ta ketë infrastrukturën më të mirë të futbollit në rajon, duke përfshirë edhe Stadiumin Nacional”, ka thënë Kurti.
Lojërat Mesdhetare në Kosovë do të organizohen në verën e vitit 2030 dhe se përveç stadiumeve, pritet që të ndërtohen edhe shumë palestra sportive e pishina olimpike.