Kurti: Do të punojmë për t’i fuqizuar personat me ‘sindromën down’

21 mars 2021 | 16:49

Sot në Ditën Botërore të Sindromës Down, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti së bashku me Vjosa Osmanin dhe të tjerë kanë vizituar Shoqatën Down Syndrome Kosova (DSK).

Kurti dhe Osmani kanë pasur rastin ta shohin ambientin, dhomat e terapisë dhe të njoftohen me disa fëmijë që angazhohen në ambientet e DSK. Ata po ashtu u informuan me aktivitetet që zhvillohen për t’i fuqizuar personat me “sindromën down”.

Kurti ka thënë se do të punojnë për t’i fuqizuar sa më shumë personat me sindromën down dhe prindërit e tyre.

“Ne angazhohemi që të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht sfidave dhe nevojave që ata mund të kenë, ta zhvillojnë një jetë të dinjitetshme në vendin tonë, dhe në këtë drejtim do të shërbejmë e do të jemi bashkëpunëtorët e parë”, ka thënë Kurti.

Njoftimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje:

Sot, në Ditën Botërore të Sindromës Down, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, njëherazi kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes, znj. Vjosa Osmani, deputetet e legjislaturës së re, znj. Arbërie Nagavci e znj. Jeta Statovci, dhe aktivisten politike që për shumë vite është angazhuar në përmirësimin e jetës së grupeve të cenueshme të shoqërisë, themeluesen e shoqatës Down Syndrome Kosova, znj. Leonora Bajraktari-Shabani, vizituan qendrën e Down Syndrome Kosova, ku u pritën nga drejtoresha Ekzekutive, znj. Sebahate Beqiri, anëtarët e bordit, stafi i DSK-së dhe prindërit e fëmijëve me sindromën down.

Bashkëbisedimit në këtë takim i parapriu një prezantim i qendrës nga drejtoresha, znj. Beqiri, ku z. Kurti dhe znj. Osmani patën rastin ta shohin ambientin, dhomat e terapisë dhe të njoftohen me disa fëmijë që angazhohen në ambientet e DSK. Znj. Beqiri po ashtu na informoi me programet e kësaj qendre, punëtoritë, dhe aktivitetet tjera që zhvillohen për t’i fuqizuar personat me sindromën down.

Ajo tha se nga institucionet e reja pret përkrahje dhe mbështetje në punën e tyre për shkak se mirëqenia e personave me sindromën down është detyrë dhe përgjegjësi e të gjithë neve. Z. Kurti e falënderoi znj. Beqiri për prezantimin e qendrës dhe punës që zhvillohet aty.

Duke kujtuar që edhe përmes zotimit për t’u kujdesur e për të ndihmuar sidomos ata që kanë më së shumti nevojë qeverisja e re ka marrë një mandat kaq të fuqishëm, ai theksoi se do të punojmë për t’i fuqizuar sa më shumë personat me sindromën down dhe prindërit e tyre.

Ne angazhohemi që të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht sfidave dhe nevojave që ata mund të kenë, ta zhvillojnë një jetë të dinjitetshme në vendin tonë, dhe në këtë drejtim do të shërbejmë e do të jemi bashkëpunëtorët e parë, tha ai.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka dhënë dorëheqje Alfred Sauter, i cili ka dyshuar se…