Kurti: Duam një Ballkan evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi ndihmën e Gjermanisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, por edhe në Programin për Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Në konferencën e përbashkët për medie në Prishtinë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova sivjet planifikon të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Kërkojmë mbështetjen e të gjithëve për këtë”, tha Kurti.
Kurti po ashtu tha se nuk është kundër që Ukraina – shtet që po përballet me pushtimin e Rusisë të marrë statusin e shtetit kandidat, por kërkoi që as Ballkani Perëndimor të mos lihet jashtë zgjerimit të BE-së.
“Bashkimi Evropian është fati ynë, Evropa është kontinenti ynë dhe ne duam një Kosovë evropiane, një Ballkan evropian. Pra, një Ballkan evropian pa orientime e formulime të tjera për Ballkanin”, ka thënë ai.
Vizita në Kosovë e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, është pjesë e turit të tij në Ballkan.