Kurti: Duan ta përsërisin Bosnjën në Kosovë, nuk do të lejojmë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin e tij për armatosjen e Serbisë.
Në një intervistë me “Vecernji List” të Zagrebit, ai ka thënë se Serbia po shpenzon aktualisht më shumë për ushtrinë se të gjithë të tjerët në Ballkanin Perëndimor së bashku.
Ai ka presidentin serb Aleksandar Vuçiq se dëshiron ta bëjë Kosovën një “shtet jofunksional”.
“Në Serbi nuk ka pluralizëm, ka një parti. Ajo parti është edhe shteti. Ai shtet është edhe kisha. Ajo kishë është edhe partia. Atje nuk ka pluralizëm, por pretendojnë demokraci me zgjedhje. Së fundmi Serbia ka rritur shumë shpenzimet ushtarake. Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut së bashku nuk shpenzojnë aq sa Serbia e vetme. Nuk e bën për shkak të Hungarisë dhe Rumanisë dhe ky militarizimi i Serbisë është shumë shqetësues për ne”, ka thënë Kurti.
Ndërsa i pyetur nëse do të pajtohej me shkëmbimin e territoreve, Kurti është përgjigjur negativisht dhe ka thënë se dëshiron që dialogu të zhvillohet për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve dhe jo për shkëmbim territoresh.
Ai ka bërë me dije se në procesin e dialogut të Brukselit nuk do të lejojë bosnjëzimin e Kosovës.
“Duan ta përsërisin Bosnjën në Kosovë. Në Bosnjë e Hercegovinë kemi një shtet që nuk është Republikë, dhe brenda ka një Republikë që nuk është shtet. Beogradi në mënyrë të ngjashme dëshiron të bëjë në Kosovë. Nuk do të lejojmë një gjë të tillë. Për këtë shteti ka votuar për mua për të ndaluar bosnjëzimin”, ka deklaruar Kurti.