Kurti e Aliu shfaqen bashkë në publik, dy muaj pas kundërshtive që patën për zgjedhjet në Luginën e Preshevës
Pas shumë kohësh kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu janë shfaqur bashkë publikisht.
Kurti e mori sot me vete Aliun në vizitën që e zhvilloi në Maqedoninë e Veriut, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kjo është paraqitja e parë e Kurtit dhe Aliut pas kritikave që ky i fundit i bëri kryeministrit për përzierje në zgjedhjet në Luginën e Preshevës dhe raportimeve për ftohje të raporteve ndërmjet tyre.
Ministri i cili ka prejardhje nga Lugina e pati cilësuar të gabuar pozicionimin e Kurtit në krah të një partie politike në zgjedhjet lokale të mbajtura në Serbi, konkretisht në Luginën e Ppreshevës.
“Nuk po mund të rri neutral në këtë pikë pasi që jam me origjinë nga Presheva, pavarësisht orientimit dhe simpatisë personale, po mendoj se kjo ka qenë gabim dhe veprim i gabueshëm”, kishte deklaruar ministri Aliu në RTK.
Ai po ashtu pati thënë se ka qenë edhe gabim që kryeministri Kurti ka marrë pjesë në një tubim elektoral me një parti politike të caktuar nga Lugina e Preshevës, pasi që siç shprehet ai, kryeministri Kurti duhet të jetë përbashkues.
Madje, sipas tij pjesëmarrja në tubim dhe mbështetja e një partie tjetër ishte një gabim.
“Ky ka qenë gabim dhe ky duhet të rregullohet sa më parë”, theksoi ai.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte deklaruar në lidhje me kritikat nga ministri, njëherësh bashkëpartiaku i tij, Liburn Aliu.
Kurti ka deklaruar se si kryeministër i vendit dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, vendos se kënd ta mbështesë edhe në Bashkimin Evropian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “e lëre më në Preshevë.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka qëndrimin e qartë dhe merr vendimet në organet e veta. Ne kemi mbështetur edhe Shaip Kamberin në zgjedhjet parlamentare. Aty nuk ka qenë vetëm një bllok, por kanë qenë dy blloqe dhe ne jemi përcaktuar ta mbështesim bllokun që i ka prirë Shaip Kamberi, ku kanë qenë pesë parti. Por, ka qenë edhe një bllok me dy a tri parti tjera. Unë jam kryeministër i Kosovës dhe kryetar i LVV-së. Unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në Bashkimin Europian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e lëre më në Ulqin e Preshevë”, ishte shprehur Kurti./Reporteri.net/