Kurti e Bislimi takohen me deputetët gjermanë, flasin për qeverinë e re
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka bërë me dije se mbrëmë së bashku me liderin e kësaj lëvizje, Albin Kurti janë takuar me deputetë të Bundestagut gjerman, me të cilët kanë biseduar në lidhje me negociatat me LDK-në për formimin e qeverisë.
“Bashkë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, mbrëmë në rezidencën gjermane patëm një takim shumë konstruktiv me deputetët e Bundestagut Gjerman dhe anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, z. Peter Bayer dhe z. Christian Shmidt si dhe me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Heldt”.
“Gjatë takimit, deputetët u interesuan për mbarëvajtjen e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës, elementet kryesore të dakorduara në programin qeverisës si dhe për arsyet dhe pasojat eventuale nga ngecjet momentale në këtë proces. U potencua nga të dy palët rëndësia që ka finalizimi i suksesshëm i negociatave, në mënyrë që vullneti i shumëpërmendur i qytetarëve për ndryshim rrënjësor, në asnjë rrethanë të mos vihet në pikëpyetje”, ka shkruar Bislimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/