Kurti e falënderon ministrin Dvorak për rolin e Çekisë në liberalizimin e vizave

24 janar 2024 | 16:48

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur ministrin për Çështje Evropiane të Çekisë, Martin Dvorak.

Në fillim të takimit, kryeministri Kurti i ka uruar mirëseardhje përsëri në Kosovë ministrit Dvorak pas më shumë se dy dekadave.

Ai e ka falënderuar për punën dhe angazhimin e tij të madh në një periudhë të vështirë për vendin tonë. Martin Dvorak kishte shërbyer si administrator i Komunës së Istogut dhe Gjakovës ndërmjet vitit 1999-2002.

“Gjithashtu, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për Republikën e Çekisë për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdon t’i jep Kosovës, përfshirë këtu kontributin e Çekisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë përmes misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit (EULEX), përkrahjen përmes votës në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tash së fundmi rolin e saj në procesin e suksesshëm të liberalizimit të vizave”.

“Ai e njoftoi ministri çek Dvorak me zhvillimet e fundit, progresin demokratik të evidentuar edhe sipas raporteve ndërkombëtare, rritjen e shënuar në indikatorët ekonomikë, arritjet dhe politikat kryesore të qeverisë, dhe e fushat me prioritet të këtij vitit e të cilat reflektohen edhe në ndarjet buxhetore për 2024”,  ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Ministri për Çështje Evropiane të Çekisë, Martin Dvorak është shprehur i lumtur për vizitën dhe mikpritjen si edhe për ndryshimet dhe zhvillimin në vend nga koha kur shërbente në Kosovë. Ai ka thënë se Çekia është mbështetëse dhe mike e afërt e Kosovës dhe e integrimit të saj euroatlantik.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Praktikisht është bërë gjithçka për transferimin e Moise Kean nga…