Kurti e falënderon ministrin e Jashtëm të Luksemburgut për mbështetjen ndaj Kosovës
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme, Xavier Bettel, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Bëhet e ditur se Kurti e Bettel floën rreth raporteve ndërshtetërore, nivelit të zbatueshmërisë dhe përfitimet nga marrëveshjet bilaterale që Kosova dhe Luksemburgu kanë në fusha të ndryshme.
“Kryeministri theksoi përparimin ekonomik e demokratik dhe respektimin e të drejtave të njeriut, krahas stabilitetit institucional, politikave fiskale, pozitës gjeografike dhe fuqisë punëtore profesionale, si përparësi që Kosova ka për investitorë të huaj”.
“Ai veçoi avancimin dhe potencialin që vendi ynë ka në fushën e informacionit dhe shërbimeve digjitale, dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë në drejtim të tranzicionit energjetik, energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencës energjetike që ndikojnë për të mirë si mjedisin ashtu edhe ekonominë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Tutje, Kurti gjatë takimit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur që Luksemburgu ka ndaj Kosovës në anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare si dhe për rolin aktiv në fuqizimin e shoqërisë, përkrahjen e nismave mjesidore, asistencës teknike, zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm përmes Agjencisë Zhvillimore LuxDev.