Kurti e fton historianin polak për vizitë në Kosovë
Ditën e djeshme, kryeministri Albin Kurti është takuar edhe me historianin dhe eseistin polak Adam Michnik.
Në njoftimin e qeverisë është thënë se i mirënjohur dhe me ndikim në Poloni, Michnik kishte edhe një vëmendje të veçantë për Kosovën.
“Përgjatë bashkëbisedimit, kryeministri përshkoi historinë moderne të Kosovës dhe e njoftoi Michnick me ngjarjet kryesore që kanë karakterizuar përpjekjet e vendit tonë për çlirim dhe pavarësim, prej kohës së shkrimeve të tij më të shumta për Kosovën, para dhe rreth luftës”.
“Ai diskutoi dhe mbi marrëdhëniet me fqinjin tonë verior, Serbinë, e qasjen e tyre të vazhdueshme agresore ndaj shtetit tonë. Biseda u përqendrua edhe tek historitë, personalitetet, dhe ngjarjet që kanë ndikuar mbi historinë e Kosovës, historinë e Ballkanit dhe historinë e Polonisë. Michnik ka qenë disident, i burgosur politik dhe mendimtar e komentues i dalluar i vendit të tij”, ka njoftuar qeveria.
Michnik kishte qenë në Prishtinë për të dhënë një ligjëratë para shumë viteve, ku të pranishëm ishin edhe komuniteti polak që jeton në Kosovë. Kryeministri e ka ftuar Michnikun në Kosovë për të vazhduar bashkëbisedimin.