Kurti e Haradinaj përplasën ashpër në Kuvend
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë përplasur verbalisht gjatë interpelancës parlamentare në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës.
Fillimisht, Kurti ka qenë shumë i ashpër me kryeministrin Haradinaj, të cilit i ka thënë se postin e shefit të Qeverisë po e mban që t’ua kryejë punët të tjerëve, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Ai ka thënë se Thaçi e Veseli e kanë marrë Haradinajt me qera dhe se kur ai t’ua kryejë punët nuk do të jetë më në këtë post.
“U trashët tek ne në opozitë dhe shkuat u therët tek Veseli e Thaçi. Ju e keni shfrytëzuar opozitën për të shkuar e për t’u shitur më shtrenjtë tek Veseli e të tjerët”.
“Ne kurrë nuk do ta sillnim për ratifikim çfarëdo dokumenti që përmban brenda komisionin e Murat Mehës. Jemi të vetmit që mund të bëjmë prerje me qeveritë paraprake”.
“Nuk besoj se Ramush Haradinaj u bë kryeministër për shkak të vizionit socio-ekonomik, apo të politikave të tij arsimore e shkencore. Atë e kanë bërë kryeministër për t’ua kryer punët Hashim Thaçit e Kadri Veselit”, ka thënë Kurti, duke e quajtur Haradinajn kryeministër të dobët.
Haradinaj ia përmend Kurtit Shpend Ahmetin
Pas këtyre kritikave, i mëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se Qeveria që ai udhëheq është mjaft e angazhuar në punë duke ia përmendur Kurtit Ligjin për Prishtinën.
“Tash nuk e keni Shpend Ahmetin në parti, se po ta kishit ndoshta do ta ma njihnit punën rreth Ligjit për Prishtinën”.
“Kur kam ardhur në Qeveri, kategoritë e lirisë kanë qenë lypsarë. Të gjithë i kanë pasur 50 euro. Janë goxha do punë që kjo Qeveri i ka kryer bukur mirë”, ka thënë Haradinaj.
Po ashtu, Haradinaj ia ka përmendur Kurtit edhe largimet nga Vetëvendosje. Më tutje, Haradinaj ka thënë se Kurti nuk e ka kundërshtuar relativizimin e raportit të Bulliqit për demarkacionin me Malin e Zi.