Kurti e Haradinaj polemika për rrymën: Çoji ministrat në shatorr tek KEK-u
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është shprehur i shqetësuar me krizën energjetike në vend.
Haradinaj, i cili është edhe deputet në seancën e sotme plenare tha se refuzimi i kryeministrit Kurti ndaj gazsjellësit dhe investimit “Kosova e Re”, e la Kosovën pa energji të qëndrueshme.
“Cilat janë këto dy veprime, i pari është refuzimi i investimit të ‘Kosovës së Re’, një investim privat, amerikan dhe njëkohësisht 450 megavat energji të përhershme në çmim deri në 86 euro megavatin. Kryeministri i sotëm Kurti, atëherë opozitar, arriti të dobësoj këtë projekt me kundërshtimin e vet dhe sa ishte kryeministër e refuzoi. Pra, e la Kosovën pa 450 megavat të çmimit 86 euro. Njëkohësisht, kryeministri Kurti i tha ‘jo’ një projekti për dezinfektimin në energji, gazsjellësit prej Shkupit, 200 milionëve amerikanë falë, 90 milionë kredi, 20 milionë grand. Na la edhe pa këtë projekt. Në të vërtet shtrohet pyetje se ‘kush është ky kryeministër dhe kjo qeveri në energji për Kosovën’. Çka është qëllimi juaj, a është qëllimi juaj me lënë Kosovën pa kapacitete në energji, nëse po, në interes të kujt? Tani pasi është kjo gjendje dhe po shihet se ky dimër do të jetë i vështirë na tregoni ju lutem si do ta zgjidhim situatën. E dimë se një megavat tash paguhet deri 450 euro në këtë kohë dhe e dimë që janë humbjet e mëdha financiare, ju lutem tregonani si do t’i mbulojmë këto humbje, pasi raportet janë alarmante. Tregona si do të veprohet për gjithë Kosovën, jo vetëm për veriun, pasi e kemi pa se aty jeni të zot dhe e keni mbuluar deri tash”, ka thënë Haradinaj.
Ai e ka pasur edhe një kërkesë interesante ndaj kryeministrit Kurti, që disa prej ministrave të tij t’i zhvendosë në një tendë (shatorre) në KEK, për prodhimin e më shumë megavateve.
“Njëkohësisht nga përvoja po ju them kryeministër, zhvendosi një pjesë të kabinetit tuaj në KEK, pra të ministrave, vendosi një shatorr dhe të mërdhijnë këta ministrat e juaj dhe menaxhmenti i KEK-ut, pasi sa megavat më shumë që prodhoni, i bie me ble më pak megavat, aq të shtrenjta që janë sot”, është shprehur Haradinaj. /Ksp/