Kurti e Haradinaj urojnë qytetarët e Tuzit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë uruar qytetarët e Tuzit, me rastin e njëvjetorit të themelimit të kësaj komune
Kurti ka thënë se duhet të punohet edhe më shumë në emancipimin politik të kësaj komune.
“Përvjetori i komunës së Tuzit për banorët e saj është gëzim sepse u arrit për herë të parë pas gati më shumë se gjysmë shekulli mundësia e artikulimit të interesave të tyre në rrafshin e administrimit lokal, kurse për partitë politike shqiptare që e udhëheqin komunën është obligim për të realizuar premtimet e tyre. Përvjetori është rast i mirë për të shikuar pas vetes se çka u arrit nga dita që u mor komuna”.
“Pa dyshim se ndryshimet në të mirë shihen, mirëpo, duhet punuar shumë në emancipimin politik qoftë në rrafshin simbolik, në përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar, qoftë në rrafshin pragmatik të përkufizimit administrativ të pronës që i takon komunës së Tuzit në Malësi të Madhe. Sfidat janë të mëdha por përkrahja është po ashtu e madhe, prandaj më lejoni që nga zemra t’ua uroj në rend të parë banorëve të Malësisë së Madhe këtë ditë të shënuar, ndërkaq partive politike shqiptare mbështetje institucionale të shtetit të Kosovës në rrugën që keni para vetes. Urime përvjetorin e komunës së Tuzit dhe punë të mbarë!”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ndërsa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka themelimi i komunës së Tuzit është e arritur historike për kombin shqiptar.
“Në përvjetorin e parë të themelimit të Komunës së Tuzit, me dëshirat për progres dhe mirëqenie të vazhdueshme, uroj të gjithë bashkëkombësit në Mal të Zi, shqiptarët e Malësisë së Madhe, kryetarin e parë Nik Gjeloshaj dhe të gjithë ata që kanë bërë përpjekje për këtë të drejtë dhe arritje historike për mbarë kombin”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/