Kurti e heshti ripërcaktimin e kufijve, por po e kthen fuqishëm asociacionin
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se Albin Kurti e heshti ripërcaktimin e kufijve, por sipas tij, është duke e kthyer fuqishëm Asociacionin.
“Pa projekt e pa vizion, kështu janë ato personazhet që rriten nga dështimet e tjerëve, dhe përfitojnë nga puna e tjerëve. Kështu duket vazhdimësia. Fakti që ai u bë pjesë e këtij procesi, ku pozicionet e tij janë marrëveshjet e vitit 2011, nënkupton lëshim pe. Dhe jo që pozicionet e kaluara duhet mbajtur për ta ruajtur “fjalën e thënë”, por sepse pozicionet e reja të tij janë të vjetra dhe të dëmshme për Kosovën”, ka shkrua Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se “A nuk erdhi Kurti në pushtet pikërisht duke kundërshtuar kornizat mbi të cilat zhvillohej dialogu? Por siç po dëshmohet çdo ditë, ardhja e Kurtit në pozitë pushteti nuk është ndonjë ngjarje historike. Ai mbetet i frikësuar në lëvozhgat e projektit të vjetër të Asociacionit”.
Molliqaj ka theksuar se Kurti, si luftëtar i paepur kundër ripërcaktimit të kufijve, njëmend e heshti këtë ide.
“Ama në vend të kësaj ideje, që është zgjidhja e vetme e qëndrueshme për paqe të përhershme, ai e ringjalli fuqishëm idenë Asociacionit me kriterin etnik. Brenda idesë së defunksionalizimit të brendshëm të Kosovës, që për më tepër nuk do t ‘sigurojë as njohje e as ulëse në OKB”.
“Mungesa e vizionit për dialogun është prania e tepruar e vetes, deri në verbëri brenda tij dhe rreth tij. Asnjë zgjidhje e qëndrueshme nuk do të vijë për sa kohë shikimi nuk shkon kah e ardhmja. Llogaritë e Kurtit për ta zbatuar Asociacionin janë llogaritë e frikës për pushtetin e tij”, ka shkruar lideri i PSD-së.
“Kostoja e Asociacionit kushton më pak vota, thotë ai. Konflikti mbetet te dera sërish. Politika e ka të garantuar edhe në të ardhmen një armik të jashtëm qe shtrin tentakulat dhe gjeneron bashkëpunëtorë – armiq të brendshëm”, ka theksuar ndër të tjera Molliqaj.